Mehmetaj: Me Qeverinë VMRO-VLEN serbët më të fuqishëm se shqiptarët!

Analisti politik dhe njohësi i rrethanave politike në Kosovë dhe Maqedoni, Lirim Mehmetaj përmes një statusi në rrjetet sociale ka përshkruar gjendjen politike të shqiptarëve të Maqedonisë nga formimi i Qeverisë, VMRO-VLEN, pjesë e të cilës është edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Mehmetaj thotë se nga dita e formimit të Qeverisë së re, është ulur përqindja e shqiptarëve në administratën publike.

Pohon se nga ajo ditë është rritur përqindja e serbëve në administratën publike.

Shton se shqiptarët humbën pozitën e zëvendëskryeministrit të parë dhe atë pozitë e gëzojnë komuniteti serb, për herë të parë.

Mehmetaj foli edhe për marrëveshjen e re mes Serbisë dhe RMV-së që policia serbe të patrullojë nëpër Maqedoni dhe thotë se ka filluar arrestimi i ish ushtarëve të UÇK.

Reagimi i plotë:

Prejse është formuar qeveria e re në Maqedoninë e Veriut, pjesë e së cilës është edhe Lëvizja Vetëvendosje:

Është ulur përqindja e shqiptarëve në administratën publike…

Është rritur përqindja e serbëve në administratën publike…

Nga zëvendës-kryeministri i parë shqiptar, në zëvendës-kryeministër serb, për herë të parë kjo…

Është zvogëluar fuqia politike në qeveri e shqiptarëve…

Është marrë vendim që policia e Serbisë të patrullojë nëpër Maqedoninë e Veriut…

Ka filluar arrestimi i ish-pjesëtarëve të UÇK-së që kanë fletarreste nga Serbia…

Ka filluar të zbehet përdorimi i gjuhës shqipe nëpër institucione…

Derisa politikani kryesor i grupacionit politik VLEN, Arben Taravari, ka thënë në një intervistë se lufta e UÇK-së në 2001 ishte gabim dhe se më mirë do të ishte të mos ndodhte kurrë…

Po më thonë disa, Lirim si e pate ditur se kështu do të ndodhë?

Si mos ta dija, këta përkraheshin nga Albin Kurti. Kaq më mjaftonte.