Ministri i Jashtëm tajvanez-Elon Musk-ut: Tajvani nuk është në shitje

Tajvani i ka thënë miliarderit amerikan Elon Musk se nuk është “në shitje”, pasi ai ka thënë se ishulli është pjesë e Kinës.

“Dëgjoni, Tajvani nuk është pjesë e Republikës Popullore të Kinës dhe sigurisht që nuk është në shitje”, ka thënë ministri i Jashtëm tajvanez, Joseph Ëu.

Në një samit biznesor të kësaj jave, Musk e ka krahasuar Tajvanin me Havain, duke e quajtur “pjesë integrale” të Kinës. Pekini e konsideron Tajvanin si pjesë të tij dhe tensionet mes dy vendeve lidhur me këto pretendime janë rritur dukshëm vitin e fundit.

Vetëm këtë javë, Kina ka kryer stërvitje ajrore dhe detare rreth Tajvanit, veprim që tashmë është kthyer në rutinë. Tajvani ka thënë se i ka identifikuar në ujërat e saj më shumë se 40 aeroplanë ushtarakë kinezë dhe rreth 10 anije. Kjo nuk është hera e parë që Musk, i cili ka interesa biznesore në Kinë, e ka zemëruar Qeverinë në Tajvan për komentet e tij.

Në tetor, ai ka sugjeruar se tensionet mes Pekinit dhe Taipeit mund të zgjidhen duke i dhënë Kinës kontroll mbi Tajvanin. Ai ka thënë më pas në një intervistë për Financial Times se beson që dy qeveritë mund të arrijnë marrëveshje “të arsyeshme”.

Raportet mes Kinës dhe Tajvanit

Pse Kina dhe Tajvani kanë marrëdhënie të tensionuara? Kina dhe Tajvani janë ndarë gjatë luftës civile më 1940, mirëpo Pekini insiston se ishulli do t’i kthehet dikur.

Si qeveriset Tajvani? Ky ishull ka kushtetutën e vet, liderët e zgjedhur në mënyrë demokratike, dhe rreth 300,000 trupa aktive ushtarake në mesin e forcave të armatosura.

Kush e njeh Tajvanin? Vetëm pak shtete. Shtetet e Bashkuara nuk kanë lidhje zyrtare me Tajvanin, mirëpo kanë një ligj që parasheh dërgimin e mjeteve që i duhen ishullit për ta mbrojtur veten.