Ministri Shaqiri: Në shkollat ​​fillore ka mësues që komunikojnë me nxënësit në grup në “viber” apo “whatsapp”

Ministri i Arsimit në Maqedoninë e Veriut, Jeton Shaqiri, mbrëmë në “Klan Debat” ka shprehur shqetësimin e tij se ka raste kur mësuesit e shkollave fillore komunikojnë me nxënësit përmes grupeve “viber” apo “whatsapp”, gjë që çon më shumë në përdorimin e smartfonëve nga fëmijët.

Sipas tij, ideja për ndalimin e telefonave në procesin mësimor është pozitive. Ai theksoi se në këtë aspekt duhet të kontribuojnë edhe vetë mësimdhënësit sepse, sipas tij, duhet të vlerësojnë se celulari mund të ndikojë negativisht në procesin mësimor.

Shaqiri përmendi se Ministria po merr masa, duke rritur bashkëpunimin ndërinstitucional me Ministrinë e Brendshme.(INA)