Mitrovica e Veriut tashmë udhëhiqet nga Vetëvendosje, Erden Atiq bëri betimin si kryetar komune

Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, pas betimit tha se do të punojë pa dallim dhe pa diskriminim me të gjithë qytetarët.

Atiq tha se bashkë me ekipin e tij synim ka normalizimin e gjendjes në këtë komunë të veriut.

I pyetur se kur do të hapet Ura e Ibrit, Atiq nuk u përgjigj drejtpërdrejt, por vetëm tha se komuna nën udhëheqjen e tij ka për qëllim lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe heqjen e pengesave.

“Jam i kënaqur. Sapo e përfunduam seancën solemne të betimit. Me gjithë ekipin shprehi se do të punojmë për të gjithë qytetarët e komunës veriore të Mitrovicës, pa dallim. Angazhimin më të madh do ta bëjmë për ta normalizuar këtë pjesë të komunës. I bëj ftesë gjithë qytetarëve që të vijnë dhe të na takojnë dhe të bashkëpunojmë sa më mirë për të mirën e qytetarëve”.

“Së bashku jam me nënkryetaren Katarina Hagangjiq, me të cilën do të punojmë me një ekip shpresëdhënëse. Me neve është ministri Elbert Krasniqi, po ashtu është kryesuesi i kuvendit, Nexhat Uglanin”, tha ai.

“Ne si ekzekutiv qëllimin e kemi për me ua lehtësuar jetën qytetarëve, çfarëdo pengese që kanë në këtë aspekt angazhimin e kemi që me i rregulluar problemet”./EO/