Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci ka mbajtur konferencë për media për të prezantuar disa nga punët e përfunduara që nga korriku.
Mirëpo në konferencë u fol edhe për vitin e ri shkollor ku Nagavci njoftoi se viti i ri shkollor 2023/2024 do të fillojë më 1 shtator, dhe se nxënësit do të kenë edhe pushim vjeshtor.
“Viti shkollor 2023/2024 fillon me 1 shtator, risi gjatë këtij viti është se do të kemi edhe pushimin vjeshtor në mënyrë që të kemi një balancim në mes të ngarkesës së fëmijëve gjatë gjithë vitit shkollor”
Nagavci përmendi mësimin dual për të cilin tha se në vitin shkollor 2023-2024 ky mësim po zgjerohet me 8 profile të reja duke e konsideruar këtë gjë si hap të rëndësishëm për lidhjen e arsimit me tregun e punës.
ÇështjA tjetër që u përmend nga e para e MASHTI-t ishte sinteza vokale për të cilën Nagavci tha se për herë të parë po realizohet në gjuhën shqipe.
“Sinteza vokale është tejet e rëndësishme për fëmijët dhe nxënësit e verbër meqenëse u mundëson atyre konvertimin e shkrimit në gjuhën e folur, duke zvogëluar kështu barrierat… e kemi të hapur tenderin për furnizim me pajisje për krijimin e sintezës vokale në gjuhën shqipe për arsimin special dhe i njëjti do të jetë i hapur deri më 13 shtator 2023”.
Në konferencë Nagavci u pyet në lidhje me reagimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës të cilët kanë kërkuar nga MASHTI që sa më parë të nis procesin e shpërndarjes së teksteve mësimore në shkollat e komunave të Kosovës.
“Kjo vonesë tepër e panevojshme mund të shkaktoj probleme dhe ngecje në fillimin e mbarë dhe të rregullt të vitit shkollor” – është thënë në reagimin e këtij Asociacioni.
Ndërkaq, Nagavci u përgjigj duke thënë se ky proces përballet me shumë sfida.
“Gjithsesi për ne është tejet e rëndësishme që jo vetëm t’i përcjellim tekstet shkollore nëpër shkolla por të dërgojmë tekste cilësore. Në fund të kësaj jave do të njoftojmë për të gjithë procesin dhe ndryshimet që po planifikohen këtë vit në lidhje me furnizimin e fëmijëve me tekste shkollore”- u përgjigj ministrja.