Ndalohen katër të dyshuar për shitblerje të narkotikëve

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka ndaluar 4 persona të dyshuar më iniciale, V.S., L.N., L.M. dhe A.A., për përfshirje në shitblerje të substancave narkotike.

Sipas njoftimit të Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar se në Gjilan, të dyshuarit në bashkëpunim dhe me qëllim të përfitimit material, kanë organizuar shitblerjen e substancave narkotike të llojit kokainë dhe heroinë.

“Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit në 4 lokacione të ndryshme, janë sekuestruar: 1,549.2 gr heroinë, 54.7 gr kokainë, 2.010 euro para të gatshme, 1 armë e shkurtë Zoroki dhe 1 karikator me 15 fishekë, 1 telefon mobil Samsung, 3 peshore elektronike dhe 1 automjet BMË”, thuhet në njoftim.

Të dyshuarit me urdhër të prokurorit thuhet se gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’ dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Prokurori i rastit, brenda afatit ligjor ndaj të dyshuarve do të kërkojë masën për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale”, thuhet në njoftim.