Komuna e Çairit u deklaruar sot për rastin e ndërtesës në “ Nikolla Mleshevski 39” në Fushë Tophanë, ku banorët akuzojnë fqinjën e tyre se i ka manipuluar për të marrë nënshkrimet e tyre për gjoja riparim të çatisë, por më pas ka filluar me rindërtim të banesës. Zëdhënësi i Komunës së Çairit, Fari Iseni, thotë se pas verifikimeve të bëra në Sektorin për Urbanizëm, rezulton se ndërtuesja e mbikulmit ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore dhe ka dokumentacion të rregullt.
“Ekzekutuesja në këtë rast që bën mbindërtimin, kulmin e ulët apo mbikulmin ka respektuar paraprakisht të gjitha procedurat për marrjen e lejes për ndërtim. Kështu që në kuptimin procedural juridik, ekzekutuesja në fjalë është komplet pastër. Një leje që jepet, përderisa është në fuqi juridike ajo nuk mund të tërhiqet mbrapa si procedurë e dhënë, pra si leje e dhënë”, tha Fari Iseni- zëdhënës i Komunës së Çairit.
Zëdhënësi i Komunës thotë se nëse banorët dëshirojnë të marrin dokumentacionet për rastin në fjalë, duhet të parashtrojnë kërkesë për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publik.