Nga Bedri Islami
Me propozim të kryebashkiakut Erion Veliaj, Këshilli Bashkak i Tiranës ka miratuar në mbledhjen e 30 prillit dhënien e titullit “Qytetar Nderi” për kryetarin e Partisë së Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti. Ky titull do t’i akordohet me një ceremoni nesër, në shenjë falënderimi për gjithë kontributin e tij në komunitetin shqiptar të Maqedonisë së Veriut. Ali Ahmeti është një prej figurave më të rëndësishme në skenën politike dhe shoqërore të Ballkanit Perëndimor.
Nga sot, 2 maj 2024, Ali Ahmeti, lideri i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, do të jetë qytetar nderi i kryeqytetit të shqiptarëve, Tiranë.
– Publicitet –
Pak vetë e kanë dashur Tiranën, gjatë gjithë jetës së tyre , si ka ndodhur me Ali Ahmetin. Të kesh ëndërr një qytet mund të jetë gjë e zakontë, por, të kërkosh të bëhesh pjesë e kësaj ëndrre, qoftë edhe përmes sakrificës sublime, kjo ka lidhje me ndjenjën e së madhërishmes. Tirana ishte për të , në të gjitha kohrat, si drita që rrjedh përmes gishtërinjve, aty, pak kilometra përtej, ku dukeshin bjeshkët dhe fillonte pastaj rrafshina drejt detit. Për Tiranën kemi folur shpesh, të djeshmen dhe të tanishmen, lexues i madh, ai i kishte ndjekur rrugët dhe historinë e kryeqyetit përmes librave, për të qenë më pas pjesë në jetës së tij, e projekteve për të ardhmen, dhe, në të njëjtën kohë pjesë e realizimeve të saj.
Ai i ka besuar gjithnjë Tiranës, edhe kur ajo dukej e shkërmoqur nga marrëzia e vitit 1997. Kemi qenë së bashku në takime me drejtuesit e lartë të shtetit shqiptar, presidentin Mejdani apo kryeministrin nano, me kryeministrin Majko apo drejtues të lartë të forcave politike. Ndoshta maturia e tij dhe krijimi i bisedës së çiltër ka bërë që ai të mirëkuptohet, edhe kur ishte e vështirë të mirëkuptohej ideja e luftës së tij.
E largët është dita kur e kam takuar për herë të parë Ali Ahmetin. Ka qenë, një ditë e ftohtë janari,. kur ai sapo kishte bërë 35 vite dhe udhëtimi i tij do të kishte një rrugë të gjatë. I hajthëm në fytyrë, i qetë, përgjithësisht i fjalëve të matura, duke i shoqëruar me lëvizjen e dorës së djathtë, ndërsa pi vazhdimisht cigare, u takuam në banesën time, në periferi të Shtutgartit.
Ishte e çuditshme, dikush e thërriste Abaz, një tjetër, Xhukë, dhe më të pakët ata që e thërrisnin Ali. Ishin, tre emra brenda tij, por të gjitha i takonin një njeriu që, pak ditë më vonë, pas takimit tonë të parë, do më bënte pjesë të lëvizjeve klandestine të Kosovës, ku ai kishte qenë njëri nga drejtuesit kryesorë të saj.
Aliu fliste asaj nate qetasi, shumë gjëra nuk i dija, të tjerat ishin enigmë dhe as që e mendoja se do të ishin aq të thella, por, si çdo lëvizje klandestine, çlirimtare, ajo të tërhiqte në vizionin e saj, më shumë se në të panjohurat që do të kishte ballë vetes. Idea e tij ishte mbrojtja e një kombi të ndarë befasisht dhe mizorisht nga shuarja. Dhe kjo, sipas tij, e kështu ishte, qëndron në motivat më të epërta në botë. Për të bërë këtë, duhej një vullnet i fortë, një ndriçim i epërt, sidomos një motiv i jashtëzakonshëm për të kapërcyer gjithë atë që do të vinte përpara.
Kundër këtyre njerëzve ishin shumë gjëra njëherësh; trysnia e vazhdueshme dhe egërsia deri në vrasje e pushtetit serb, taborët e djeshëm që vazhdonin të ishin shërbyes të zellshëm të pushtimit të Kosovës, sajesat me qeveri, parlament, president, që nuk thonin asgjë veçse pjesë të një manteli të tolerancës serbe ndaj lëvizjeve politike.
Ishte e vështirë sepse, në pak vite, kishte aq shumë të vrarë, mijëra të burgosur politikë dhe, si do e mësoja më vonë, shumë prej tyre kishin qenë në shokët më të afërt të Ali Ahmetit. Në kahun tjetër, aty ku kishte qenë shpresa më e madhe, shteti amë, ishin në rrokopujën e tij, gjërat kishin dalë jashtë kontrollit dhe gjithçka po bëhej më e vështirë.
Kurdoherë ka pasur përpjekje që antishqiptarizmi të shpallet haptas si doktrinë gati kombëtare. Nganjëherë, nostalgjia për robërinë ishte bërë shenjë e rimohuesve, shkurt, gjithçka që kishte të bënte me heroiken po shpallej e pa vlerë, gati gati ogurzezë për fatet e kombit.
Kush ishin këto njerëz që një natë mes janari më erdhën si miq dhe më bënë pjesë të një lëvizje që nuk e kisha menduar se mund të isha?
Ali Ahmeti, i njohur si Abaz Gjuka në strukturat e organizatës, ishte, mbi të gjitha njeriu i punëve të luftës. E kërkoi atë, e gjeti, më saktë, ishte pjesë e ndezjes dhe përfundimit të saj, dhe, kur të gjithë menduan se lufta do të ishte puna e tij, ai zgjodhi paqen. Pak kush e bën këtë. Të fitosh një luftë mund të kesh gjithnjë pas vetes rrezikun e krijimit të mitit të ngadhnjimtarit. Të krijosh mite dhe të rrëzosh mite të tjerë. Sidomos kur je mes dy Shqipërive: “Shqipërisë së Jashtme”, Kosovës me viset e saj, dhe “Shqipërisë së Brendshme”, shtetit shqiptar londinez.
Shqipëria, ajo e “ brendshme” e prerë në besë për shkak të prerjes që i ishte bërë në vitin 1913, asaj kohe, pas fillesës së pluralizmit, sytë i kishte ende të turbullt, sa që, megjithëse thërriste gjithë ditën se “e duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, nuk e dallonte dot lindjen nga perëndimi, kur, ndryshe nga të tjerët, këto djem të Lëvizjes, flisnin për kombin e bashkuar, si ide, vizion e mundësi reale. Ata, megjithëse i quanin të majtë, po përgatiteshin të krijonin historinë e tyre të bujshme mes Europës dhe SHBA-së, çka e arritën në mesin e vitit 1988.
Ali Ahmeti ishte njëri nga drejtuesit e tyre. I njohur, i qetë, klandestin i klasit të parë, i lindur për të krijuar lidhjet mes grupeve dhe për të ngritur strukturat e qëndresës në Kosovë. I pranuar nga të gjithë, çka ndodh rrallë, dhe i besuar po nga të gjithë. Mbi të gjitha, i lexuar.