Maqedonia e Veriut po ndjek me vëmendjen zhvillimet në Kosovë, përfshirë rastin me tre policët, të cilat siç pohojnë autoritetet në Prishtinë, janë rrëmbyer nga forcat speciale serbe brenda territorit të Kosovës.
Shkupi zyrtar u ka bërë thirrje palëve, në veçanti asaj kosovare, që të bashkëpunojë ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në kuadër të një konference ndërkombëtare në Strugë, “Prespa Forum” kushtuar zgjerimit të Bashkimit Evropian, tha se bashkëpunimi me aleancën euroatlantike, BE-në dhe SHBA-në, është me rëndësi të madhe në kapërcimin e problemeve, bazuar në eksperiencën maqedonase.
“Unë vetëm mund të ftoj autoritetet e Kosovës që të jenë në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin euroatlantik për shkak se eksperienca jonë na tregon se bashkëpunimi me ta, koordinimi me ta, besimi në ta asnjëherë nuk na ka dështuar, nuk na ka tradhtuar. Këshilla më e mirë që mund t’ia japim, jo vetëm Kosovës, por të gjithëve në rajon – që të mbani ngushtë raportet me komunitetin euroatlantik për shkak se kjo është e ardhmja e vetme e rajonit”, deklaroi Osmani.