Osmani: Mosmiratimi i ndryshimeve kushtetuese do ta izolojë vendin

Nëse nuk miratohen ndryshimet kushtetuese, kjo do ta çojë vendin në izolim dhe mund të rezultojë që Maqedonia e Veriut të mos integrohet në BE për shumë dekada tjera, theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

“Plani B është të mos miratohen ndryshimet kushtetuese. Kjo do ta çonte vendin në izolim të gjatë, sepse në nëntor do të ndërpriten bisedimet për ne, ndërsa do të vazhdojnë për Shqipërinë. Ndërkohë,u krijua një rrugë më e shpejtë drejt anëtarësimit në BE, kryesisht për shkak të Ukrainës, por edhe pak për të nxitur dialogun Kosovë-Serbi”, tha Osmani në Televizionin Klan.

Sipas Osmanit, opozita nuk mund të argumentojë para qytetarëve pse po e bllokon të ardhmen evropiane të vendit, sepse, siç tha ai, që të merret një vendim i tillë, duhet të kenë argumente serioze.

Sa i përket përfaqësuesve ndërkombëtarë në këtë proces, Osmani thotë se vendimet e rëndësishme për fatin e vendit nuk duhet të merren nën presion ndërkombëtar, sepse sipas tij, vendi dhe politikanët vendas janë mjaft të pjekur për të kuptuar rëndësinë e vendimeve të cilat i marrin.

“Sigurisht se bashkësia ndërkombëtare ka ndihmuar në komunikim, në paraqitjen e skenareve të ndryshëm, varësisht prej vendimeve tona, por përkujtoj se pas fillimit të debatit publik, qytetarët do ta kuptojnë qartë se për çfarë bëhet fjalë me këto ndryshime kushtetuese”, tha Osmani.