“Pakurrizorët e VLEN-it” po ia mundësojnë Mickoski-t realizimin e agjendës anti-shqiptare

Emërimi si ministër i serbit radikal, Ivan Stoilkoviç, në qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut është tregues se kryeministri në ardhje, Hristjan Mickoski, po arrin ta realizojë agjendën e tij kundër shqiptarëve.

Fatkeqësia, sipas njohësve të zhvillimeve në Maqedoni të Veriut, ka të bëjë me faktin se persona si Stoilkoviç – që është kundër shtetit të Kosovës dhe terroristët e Milan Radojiçiç-it i quan “heronj serbë” – po vijnë në pushtet me ndihmën e partnerëve shqiptarë që janë pjesë e koalicionit nën siglën “VLEN”.

Stoilkoviç, Kryetar i Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoninë e Veriut, aktualisht deputet, pritet të jetë zëvendëskryeministër dhe Ministër për Marrëdhënie mes Komuniteteve – dikaster që është udhëhequr gjithmonë nga shqiptarët.

Kur Mickoski njoftoi për pozitën që po ia ofron Stoilkoviç-it, asnjë nga partnerët shqiptarë të koalicionit, Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa, Alternativa, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Vetëvendosje, nuk e kundërshtuan këtë propozim.

Udhëheqësit e VLEN-it, Arben Taravari, Izet Mexhiti, Afrim Gashi, Bilall Kasami dhe Bekim Qoku, përkundër se kritikonin liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetin, pikërisht për mos ngritje të zërit për shqiptarët në qeveritë e kaluara, vetë nuk patën fare kundërshtime për emërimin e Stoilkoviç-it që, pos tjerash, mendon se “Kosova është pjesë e Serbisë”.

Politologu shqiptar nga RMV, Valon Bela, në një bashkëbisedim për Albanian Post, fajëson ekskluzivisht koalicion “VLEN”, për të gjitha këto veprime që është duke i bërë Mickoski.

“Këta pakurrizorë po e lejojnë Mickoskin të veprojë në këtë mënyrë”, thotë Bela.

“Ajo që do ta pësojnë shqiptarët”, është i bindur ai, “do të jetë kthimi në pikën zero”.

Edhe për Ruzhdi Matoshin, ish-deputetin shqiptar në Kuvendin e RMV-së nga radhët e Partisë Demorkatike Shqiptare (PDSH), VMRO dhe Micksoki po realizojnë një program shumë nacionalist dhe antishqiptar.

“Sikur nuk iu mjaftoi zhargoni në fushatë, tani implementojnë programin e tyre duke përtha infrastrukturën njerëzore në qeveri dhe duke vendosur figura kontroverse nacionalist pro ruse, siç është Stoilkoviç, edhe atë në poste të cilat më parë i kanë udhëhequr shqiptarët”, thekson Matoshi për AP.

Në këtë drejtim, ai vlerëson që ky avaz i VMRO-së duhet të ndalet, “sepse mund të përkeqësojë situatën e brendshme duke i prishur ekuilibrat qeverisës”.

“Shqiptarët në Maqedoni të Veriut janë 30 për qind, prandaj edhe pushteti i tyre në ekzekutiv duhet të jetë në këto përmasa, përndryshe do të kemi majorizim”, shtoi.

Për palën shqiptare që do të bëhet pjesë e qeverisë, sipas Matoshit, “janë ndezur alarmet dhe ju duhet të mendojnë më shumë se dy herë për çdo hap”, përndryshe, siç potencon ai, “do paguajnë shtrenjte si subjekt veprimet e Mickoski-t, ndërsa interesat e shqiptarëve do të përthahen”.

Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 8 majit, VMRO-DPMNE-ja dhe lideri i saj Micksoki, kishte si target sulmet ndaj shqiptarëve, posaçërisht ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), dhe liderit Ali Ahmeti.

Disa besonin se sulmet e Mickoskit ishin thjesht gjuhë elektorale, për të grumbulluar votë të nacionalistëve maqedonas, por emërime si ky i Stoilkoviç-it po e kthejnë gjuhën në veprim.

Pranaj, thotë Bela, “nuk do shumë mend për të konstatuar se tentimi për t’i nënçmuar shqiptarët po bëhet realitet”.

Për të, Stoilkoviç “është njëri nga antishqiptarët kujdestar, i cili ka reaguar kundër çdo të drejte që kanë fituar shqiptarët në RMV”.

Përveç emërimit të një personi me qëndrime të tilla si ministër, Mickoski para dy dite është mburr edhe me faktin që shqiptarëve u ka dhënë shumë pak ministri, ndryshe nga seç kishin në qeveritë e kaluara.

“Mickovski deklaroi në ditën e Festës së Kurban Bajramit se ‘VLEN-it nuk i kemi dhënë shumë poste ministrore dhe se tani e kemi kthyer peshën tek maqedonasit’. Edhe përkundër këtyre poshtërimeve publike të Kryeministrit në ardhje Mickoski, VLEN nuk lëviz nga vendi as edhe me një deklaratë të vetme”, pohon Bela.

“Duhet potencuar se udhëheqësit e VLEN janë njerëz të korruptuar dhe prandaj edhe shantazhohen”, shton politologu, derisa përmend edhe dështimet e disa prej liderëve të VLEN-it me udhëheqjen nëpër komuna.

“Ngutja e tyre për bashkëqeverisje të poshtëruar me VMRO nënkupton edhe ikje nga burgjet sepse s’do mend se katastrofën që e sollën këta nëpër komunat që udhëheqin duhet penalizuar nga prokuroria dhe gjykata”.

Mirëpo, emërimi i Stoilkoviç-it si ministër, për Mersel Bilalli, profesor i së drejtës ndërkombëtare dhe ish-deputet shqiptar nga radhët e Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD), nuk është problemi më i madh për “VLEN”-in.

“Problemi më i madh është pozita inferiore e tyre në qeveri, që rrjedh nga rezultati i zgjedhjeve ku VLEN kishte 4 deputetë më pak se Fronti Evropian”, thekson Bilalli për AP.

“Problemi kyç këtu është që në start favorizimi i investimeve industriale në lindje të shtetit dhe injorimi i pjesës shqiptare. Kjo për fat të keq ndodhte edhe në qeverinë e kaluar edhe pse shqiptarët ishin dominant në qeveri”, beson ai.

Në qeverinë e re të RMV-së, shqiptarët do të kenë vetëm gjashtë ministri – numri më i vogël ndonjëherë.

Se “VLEN hynë në qeveri me pozita shumë të dobëta”, thotë edhe profesori i së drejtës ndërkombëtare, duke bërë me dije se edhe pse ata e kanë marrë Ministrinë e Ekonomisë, “në fakt asaj i janë marrë kompetencat në sferën e energjetikës dhe xehetarisë dhe kësisoj ka mbetur boshe”.

Ndryshe, të martën, mandatari për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski, ka dorëzuar në Kuvend përbërjen e ekzekutivit.

Njoftimin e bëri në Facebook.

Pas kësaj, pritet që shumë shpejt të caktohet seanca për votimin e qeverisë së re.

Siç raportojnë mediat në Shkup, seancën parlamentare për zgjedhjen e ekzekutivit të ri, Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, pritet ta caktojë për të shtunën në ora 11:00.

Numrin më të madh të resorëve qeveritare në ekzekutivin që do të drejtohet nga Mickoski, do ta ketë VMRO-DPMNE-ja, 15 sosh, tre prej tyre do të jenë zëvendëskryeministra.

Ndërsa, shqiptarët e VLEN-it do të drejtojnë gjashtë ministri, dhe një pozitë të zëvendëskryeministrit.

Pjesë e qeverisë është edhe Lëvizja “ZNAM”. Dy është numri i ministrive që do të jenë nën udhëheqjen e kësaj lëvizje.

Formimi i qeverisë së re në Maqedoni të Veriut është duke u bërë pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit.

Në këto zgjedhje, fituesi absolut në kampin maqedonas doli VMRO-DPMNE-ja, mori 58 mandate.

LSDM-ja që kishte deri më tani pushtetin vetëm 18.

Sa i përket kampit shqiptar, “Fronti Evropian” është fitues në raport me koalicionin “VLEN”, me 4 deputetë më shumë, 18 me 14.

Ulëse në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut morën edhe e majta ekstreme “Levica” dhe Lëvizja “ZNAM”,