Shqipëria luan sot për herë të parë në histori një miqësore kundër Kilit. Dilemat për listën, provat para Europianit, por jo vetëm, kanë shtuar edhe më shumë kuriozitetin rreth ambientit kuqezi.
Ish-kapiteni i Kombëtares, Altin Lala, jep opinionet e tij për grumbullimin e radhës, lojtarët që u lanë jashtë, kush rrezikon Europianin dhe se ku do t’i ketë më shumë “sikletet” Silvinjo. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Lala ndër të tjera shprehet se nëse do të ishte në dorën e tij, listën do ta miratonte me 25 ose 26 lojtarë.
Altin, si ju është dukur lista?
Lista ishte pak a shumë surprizë në sensin e lojtarëve si Gjasula, Muja dhe Daku, që janë lënë jashtë për të parë të tjerë. Normalisht edhe trajneri është i kufizuar në marrjen e lojtarëve dhe kështu që deri sa të fillojë Europiani, do të mundohet të shikojë sa më shumë. Pastaj do të vijë momenti që do të vendosë, sepse 23 mund të marrë.
Sa rrezikojnë Gjasula, Muja dhe Daku për të mos qenë në Europian?
Mund të ketë ende surpriza, sepse ka edhe 2-3 muaj deri sa të mbërrijmë aty. Pastaj varet forma, paraqitjet me klubet e tyre, sepse është diçka shumë e rëndësishme për të gjithë lojtarët. Po të marrim rastin e Manajt, u rikthye pasi po kalon formë shumë të mirë. Ka shënuar 15 gola në Turqi dhe ky është një tregues që pas performancës së mirë, mund të kthehesh sërish në ekip. Kombëtarja kjo është, seleksionim. Pavarësisht se dikush ka meritat e tij deri tani, sërish është ende e hapur. Mendoj se 13-14 lojtarë mund ta kenë vendin e sigurtë për në Europian.