Parisi nis përgatitjet e para, do të presë Lojërat Olimpike

Parisi po nis përgatitjet për të pritur një nga evenimentet më të rëndësishme në botën e sportit, Lojërat Olimpike të vitit 2024. Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike Paris 2024 do të jenë ngjarja më e madhe e organizuar ndonjëherë në Francë, të cilat do të zhvillohen nga 26 Korriku deri më 11 Gusht 2024. Spektakli që do të zhvillohet gjatë atyre javëve do të mbetet në histori dhe Parisi do të jetë qendra e botës, e sportit dhe shumë më tepër.

Lojërat shihen si një festë për t’u ndarë me pjesën tjetër të botës. Ata përfaqësojnë një aventurë të re që do të çojë Francën në një përvojë ndryshe nga çdo gjë që është parë deri më tani. Por një nga përgatitjet e para që po bëhen është edhe pastrimi i lumit Senë që pritet të jetë zemra e Lojërave Olimpike të Parisit 2024, pasi Ceremonia e Hapjes së Lojërave Paris 2024 do të mbahet në dhe rreth lumit.

Kjo ceremoni unike mbahet jashtë një stadiumi për herë të parë dhe publiku do të jetë në gjendje të përshëndesë atletët teksa parakalojnë me varka lundruese në lumin Senë. Prandaj përgatitjet e para kanë nisur dhe ka filluar pastrimi i lumit. Dan Angelesku është pjesë e një ekipi që po teston cilësinë e ujit të lumit Senë në Paris, pranë urës Alexander III, e cila ofron një pamje mjaft piktoreske.

Ai ka punuar për qytetin që nga viti 2017 në projektin e tij të gjatë për ta bërë lumin Senë të notueshëm. Lojërat Olimpike të 2024-ës janë një mundësi e mirë për ta përshpejtuar këtë projekt në mënyrë që të organizohen disa ngjarje sportive në lumin e famshëm, siç u bë në Olimpiadën e parë të Parisit në vitin 1900.

“Me rastin e lojërave Olimpike, ne e dimë se uji do të jetë më i pastër. Kështu që për ne kjo është diçka e mrekullueshme. Ne e kemi ëndërruar këtë për vite me radhë, të shpëtojmë nga gjithë këto mbeturina, nga gjithë këto ujëra të zeza që përfundojnë në lumin Senë”.

Ai po mat bakteret në ujë për të vërtetuar nëse lumi është i notueshëm ose jo. Sfida për të është që lumi Senë të vijojë të ketë cilësi të mirë të ujit.

“Ne jemi duke matur dy baktere E.coli dhe enterokoket. Të dy vijnë nga materia fekale, kështu që prania e tyre tregon kontaminim dhe niveli i përqendrimit të këtyre baktereve na lejon të dimë nëse është e sigurt të lahesh në ujë apo jo.”

Për të shmangur që një skenar negativ që të ndodhë në qytet po ndërtohet një pellg masiv nëntokësor në jug të Parisit, me një kapacitet 50,000 metra kub që është e barazvlefshme me 20 pishina olimpike.

Pellgu i Austerlitz do të mbledhë reshjet e shiut për të shmangur tejmbushjen, tha Pierre Rabadan, nënkryetar i bashkisë përgjegjës për organizimin e Lojërave.

“Gjithçka varet nga moti, sepse ndotësi më i madh i lumit Senë janë shirat e rrëmbyeshëm që sjellin shumë ujëra të zeza në lum përmes derdhjeve nga kanalizimet. Dhe për këtë arsye, kur bie shi, më pas, cilësia e ujit bëhet vërtet problematike për një numër të caktuar ditësh.”

Një pjesë tjetër e planit është të përfundojë kalimi i ujërave të zeza nga një sistem i vjetëruar që shkarkon ujërat e zeza në lumë në një sistem të ri kanalizimesh.

“Cilësia e ujit është ende duke u rritur shumë. Dhe të gjitha punët që po bëjmë, si psh ky projekt ky është një nga shembujt por ka të tjerë me këto projekte do të mundemi, 100 %, me përjashtim të shirave gjatë disa ditëve për të notuar në Senë dhe për të mundësuar garat zyrtare gjatë Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike.”

Vetë qytetarët e Parisit shprehen entuziastë për këtë projekt.

“Me rastin e Lojërave Olimpike, ne e dimë se uji do të jetë më i pastër dhe për ne ky është një lajm fantastik, të mos kemi më ujëra të zeza që përfundojnë në lumin Senë”.

Por të tjerë thonë se autoritetet franceze duhet të kishin marrë më herët masa.

“Pra, ishte një mundësi për të mbledhur të gjithë partnerët tanë rreth tryezës dhe për të siguruar të gjitha paratë që janë të nevojshme për të pastruar lumi i Senës. Por qëllimi ynë kryesor sigurisht, janë Lojërat Olimpike, por qëllimi ynë tjetër është që, më pas, ne do të kemi mundësinë të shkojmë dhe të notojmë në këtë lumë dhe në të gjitha qytetet përreth kryeqytetit”.

Parisi shpreson të korrë përfitime përtej Olimpiadës. Colombe Brossel, një tjetër nënkryetar bashkie i ngarkuar për hapësirën publike dhe reduktimin e mbetjeve, tha se qëllimi kryesor ishte që njerëzit përgjatë Sene të mund të notojnë deri në vitin 2025.

Me 150,000 vende pune dhe deri në 10.7 miliardë euro të ardhura, kjo ngjarje e madhe ndërkombëtare shihet ndër të tjera një mundësi e jashtëzakonshme për Francën dhe ekonominë e saj. Nga këto, 78.300 vende pune do t’i dedikohen organizimit (transport, evente, komunikim etj.), 60.000 për turizëm (hotele dhe restorante, etj.), 11.700 për ndërtim.

Pikat më ikonike të Parisit pritet të shndërrohen në arena sportive për t’u ofruar spektatorëve një përvojë unike. Stade de France do të presë ngjarjet e atletikës dhe regbisë dhe ndeshjet e futbollit do të zhvillohen në Parc des Princes dhe në stadiume të tjera në Francë (Nice, Marseille, Nates) etj.

Sa i përket tenisit dhe boksit, ato do të mbahen në stadiumin prestigjioz Roland Garros.

Pjesa e poshtme e rrugës Champs-Élysées dhe Place de la Concorde është vendi ku do të mbahet ceremonia e hapjes së Lojërave Paralimpike Paris 2024 më 28 gusht 2024.

Më shumë se 4000 atletë nga 184 delegacione nga e gjithë bota fillojnë duke marshuar poshtë Champs-Élysées drejt Place de la Concorde dhe obeliskut ikonik të tij, ku një spektakël unik dhe madhështor i pret spektatorët.

Ndërkohë në Kullën Eifeil organizatorët kanë planifikuar të instalojnë flakën olimpike.

“Unë mendoj se Kulla Eifel duhet të jetë i vetmi vend për flakën olimpike. Mendoj se është lokacioni më ikonik brenda Parisit për të cilin bota do të krenohej. Kështu që unë nuk mendoj se flaka duhet të jetë diku tjetër, por vetëm në Kullën Eifel”.

Flaka do të ndizet në Olimpin antik të Greqisë, ku në të kaluarën e largët mbaheshin Lojërat Olimpike antike dhe do të qëndrojë në vend për rreth një javë përpara një ceremonie dorëzimi në Athinë dhe nisjes për në Francë.

Sipas traditës, pishtari olimpik simbolizon zjarrin që Prometeu vodhi nga perënditë në mitologjinë greke për ta dorëzuar atë tek njerëzit. Pishtari, pra, simbolizon dritën e dijes dhe arsyes së njerëzve.

Pas një ceremonie të shkurtër në Greqi, flaka më pas i dorëzohet qytetit pritës. Organizatorët e Parisit kanë thënë se do të përdorin një anije për ta çuar atë në qytetin port të Marsejës, ku do të zhvillohen garat e lundrimit të Lojërave Olimpike.

Klan News