Patetika “inflative” e Mickovskit!

-Lideri i VMRO-së nuk i shikon as rrethanat objektive, e as mënyrën se si me lehtësi kaluam disa kriza(energjetike, pandemia, kriza në Ukrainë) falë masave sociale të qeverisë për qytetarët

Shkruan: indeks.mk

Mickovski, si opozitar që është, sipas asaj popullores “nëse s’ke punë, luaje derën”, vazhdon të merret me politikat qeveritare, vend e pa vend.
Kësaj radhe, na e paska matë inflacionin se na qenka pothuajse dyfish më i lartë se në shtetet evropianë, për të konstatuar se nuk inflacion i importuar, por autokton, i politikës humbëse të qeverisë.

Vërtet populli ka thënë në mos paç punë, luajë pragun e derës, por edhe kjo mania për t’u marrë me gjithçka e për ta vënë në kontekst të kritikave që ai i bën, dhe “nevojës” për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, duket banale! Kjo e zgjedhjeve, i është shndërruar në shprehi ditore, po të mos i përmendë njëherë zgjedhjet e parakohshme, nuk i shkon dita!
Dhe kur t’i shtosh ndonjë element patetik, si ky që përmend ai se 50 mijë fëmijë vuajnë nga uria për shkak të inflacionit, bëhet e qartë se do të vazhdojë të përdorë gjithçka që mendon se i duhet për interesat partiake.

Ai kur gjen këso lloj temash ekonomike, megjithatë, harron dhe nuk i përmend pjesët tjera të mozaikut. Për të sikur nuk ka ndodhur fare pandemia dhe menaxhimi i saj, i përshkuar me ndërprerje pune të kompanive, me pasoja sociale të rritjes së papunësisë. Mickovski harron edhe krizën energjetike që, sikundër dhe pandemia, nuk nisi në Maqedoni por në nivel global, që me shtrenjtimin e energjensëve, u rrit kostoja e prodhimit që doemos do të reflektohej edhe në çmime.

Mickovski harron edhe krizën më të re globale, atë të Ukrainës, e cila rezultoi me rritjen e disa produkteve elementare(vaji, sheqeri, mielli, buka, bulmetet…) dhe në anën tjetër edhe të karburanteve që qenë dyfishuar si në tregjet botërore, ashtu dhe te ne. Sepse shumica prej tyre vinin nga vatrat e krizës.
Mickovski, pra, harron se Maqedonia nuk është një ishull i vetmuar ku nuk ka ndikim ç’ndodh në pjesën tjetër kontinentale të botës. Me gjithë këto që u thanë më sipër, mbetet fakt se krahasuar me disa vende të rajonit, Qeveria e Maqedonisë është përballur më me sukses me këto situata. Krizën energjetike të rrymës pothuajse nuk e ndjemë fare, pasi arritëm të shtojmë prodhimin e rrymës vendore nga kapacitete të ndryshme. A mban mend dikush që ka pasur restriksione? Edhe për çmimin më të lartë të rrymës, qeveria ndërmori masa për zbutjen e tyre, me paushallët që iu ndanë familjeve disa muaj me radhë.

Nëse Mickovski bazohet në statistikë, duhet t’ia përkujtojmë se me pakon e masave sociale, edhe familjet me të ardhura më të ulëta, disa herë kanë qenë të subvencionuara. Por më tepër se kaq, kur në situata krize nuk ishte në pyetje se sa do të rriten çmimet, por se a do të ketë mungesë të artikujve elementarë, ne sot kemi situatë shumë më të relaksuar se një vit më parë: çmimin e bukës nuk e kemi 40-50 denarë, por 33 denarë, vajin nuk e kemi 150-160 denarë sa ishte, por 75-85 denarë, ndërkohë që po bien edhe çmimet e prodhimeve të mishit dhe qumështit dhe të tjera. Gjërat janë të ndërlidhura, ndaj kur merr diçka teposhtëzën, gjithçka shkon teposhtë, dhe anasjelltas. Gjërat tash ecin për të mirë. Ai duhet të dijë se për shkak të çmimeve të larta të prodhimeve sezonale bujqësore, pothuajse çdo vit ka fryrje artificiale të inflacionit.

Pra, ky është një realitet që lideri opozitar nuk e shikon objektivisht, por krijon pasqyrë të shtrembëruar. Po, kur jemi te inflacioni, ka inflacion, e ai shprehet në fjalët dhe frazat boshe të opozitarit të dëshpëruar!