Shefja e ish- Prokurorisë Speciale Publike, Katica Janeva, ish-kryetari i Gjykatës Penale në Shkup, Vladimir Pançevski dhe biznesmeni Sead Koçan mbeten në burg, pasi presidenti Stevo Pendarovski ua refuzoi kërkesën për falje. Vendimet pritet të nënshkruhen këto ditë, kështu që për momentin bien në ujë tentativat e tre të dënuarve për të shkurtuar dënimin me burg, transmeton Portalb.mk.
Po ashtu, Komisioni për falje, i cili është trup ndihmës punues në Kabinetin e Presidentit, ka dhënë mendim negativ për kërkesën për falje të Katica Janevës, njoftuan nga Kabineti i presidentit.
Kërkesat kanë kaluar të gjitha filtrat ligjorë brenda sistemit të burgjeve dhe më pas janë shqyrtuar nga Komisioni i Presidentit për falje. Komisioni ia dorëzon atë listë propozimesh Presidentit, i cili ka fjalën e fundit.
Janeva u dënua me shtatë vjet burg për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar si prokurore publike speciale në aferën “Reket”. Siç është raportuar së fundmi në media, ajo punon si bibliotekiste në burgun “Idrizovë” dhe shfrytëzon beneficione tjera që i ofron sistemi i burgjeve.
Aktgjykimi për rastin “Reketa” është shqiptuar më 18 qershor 2020. Janeva u dërgua në burgun e Idrizovës më 23 korrik 2021.