Ministria e Drejtësisë pritet të shpallë këtë javë emrat e ekspertëve që do të jenë pjesë e grupit të punës për ndryshimet kushtetuese, pasi javën e kaluar u shpallën emrat e përfaqësuesve të partive politike dhe institucioneve që do të jenë pjesë e këtij organi. Nga ana tjetër, grupi punues pritet të takohet me ç’rast do të formulojë propozimet, pas së cilës do të hapet një diskutim publik për ta, shkruan Indeks.mk
Shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, ka deklaruar se bullgarët mund të përfshihen në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut vetëm si pjesë e popullit bullgar dhe në asnjë mënyrë tjetër, duke hedhur poshtë mundësinë që formulimi “bullgarët maqedonas” të hyjë në Kushtetutë.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski tanimë ka bërë të ditur se Ministria e Drejtësisë së shpejti do t’i shpallë emrat e ekspertëve nga fusha akademike që në praktikë janë marrë me çështje kushtetuese.
“Sa i përket komisionit, tashmë është në proces formimi në Ministrinë e Drejtësisë. Gjatë periudhës së ardhshme do të shpallin ekspertët që vijnë nga fusha akademike, kryesisht nga fusha profesionale, gjegjësisht ata që janë marrë në praktikë me çështje kushtetuese dhe pasi ta ketë bërë këtë Ministria e Drejtësisë, puna praktike e Komisionit do të të fillojë, e cila duhet të përgatisë amendamentet dhe të cilat më pas do të dorëzohen në Qeveri dhe do të hyjnë në procedurë parlamentare”, tha Kovaçevski.
Lidhur me kërkesën e maqedonasve myslimanë për të hyrë në Kushtetutë, kryeministri tha se do të jetë edhe punë e komisionit, sepse nuk është vetëm një kërkesë, por disa kërkesa. Procedura për ndryshime kushtetuese, sipas Kovaçevskit, duhet të fillojë dhe vlerëson se Parlamenti ka kapacitete demokratike për këtë proces.
Lidhur me kundërshtimin e opozitës ndaj ndryshimeve kushtetuese, Kovaçevski thotë se opozita ndryshon shumë shpesh qëndrimet e saj.
“Kryetari i VMRO-DPMNE-së nuk është deputet, kështu që nuk është relevante të flitet për atë çështje dhe shumë shpesh i ndryshon qëndrimet. Fillimisht tha se e përkrah marrëveshjen me kryeministrin bullgar në atë kohë, pastaj nuk e përkrah, pastaj me kryeministrin Petkov tha se i përkrah ndryshimet kushtetuese, pastaj tha se nuk e përkrah, pastaj tha se nëse ka ndonjë nga deputetët e tij që do të votojë për amendamentet kushtetuese ai do të jepte dorëheqjen, kështu që ai mori deklarata të noterizuara para deputetëve se nuk do të votonin dhe më pas tha se ne mbështesim amendamentet kushtetuese, por sipas modelit kroat, dhe pas tre ditësh përsëri tha se ata nuk mbështesin amendamentet kushtetuese”, theksoi kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka deklaruar se ndryshimet kushtetuese janë saktësuar në Protokollin e nënshkruar me Bullgarinë, si do të duken dhe ku pozicioni i bullgarëve do të jetë në Kushtetutë.
“Pra, puna do të jetë shumë e lehtë për Komisionin që është krijuar në Ministrinë e Drejtësisë, sepse vetëm duhet ta marrin Protokollin, aty thuhet saktësisht se ku janë përmendur bashkësitë e tjera etnike, pas presjes para të tjerave, duhet të jenë”, ka deklaruar Osmani.
Partitë politike në Komisionin e punës për ndryshimet kushtetuese kanë propozuan këto anëtar: Cvetanka Ivanova – LSDM, Arbr Ademi – BDI, Remzi Mehmedi – Aleanca për Shqiptarët, Sonja Mirakovska – PRSD, Nano Ruzhin – PLD, Hrista Najdanov nga DM, Temelko Risteski nga Partia e Pensionistëve, Rametula Kuqi – PDSH, Eran Kurtis nga Partia Lëvizja e Turqve dhe Bejcan Ilyas nga Partia Demokratike e Turqve.
Nga institucionet janë propozuara Aleksandar Spasov nga Kabineti i Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dragan Tilev nga Sekretariati për Çështje Evropiane dhe Shpend Sadiki nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Ky trup punues është ngarkuar nga Qeveria që të përgatisë propozimin për iniciativën për nevojën e ndryshimeve kushtetuese. Propozuesja e ndryshimeve kushtetuese është qeveria. Pas përgatitjes së amendamenteve, propozimi do të kalojë në të gjitha trupat punuese brenda Parlamentit. Njëkohësisht do të mbahen dëgjime publike ekspertësh në të cilat do të zhvillohen ekspertë, parti, organizata të shoqërisë civile dhe të tjerë.(Indeks.mk)