Pushteti pro progresit, opozita pro regresit në rrugën europiane të Maqedonisë së Veriut!

Është mbajtur mbledhja e parë konstituive nga grupi punues për përgatitjen e propozim-iniciativës për nevojën e ndryshimeve kushtetuese, për përfshirjen e bullgarëve në Preambulë, së bashku me bashkësitë tjera etnike, që është kusht për hapjen e procesit të negociatave me Bashkimi Evropian (BE). Grupi punues ka 23 anëtarë, dhjetë prej të cilëve janë ekspertë, dhjetë janë propozime të partive politike dhe tre janë anëtarë të institucioneve, shkruan Indeks.mk

Presidenti Stevo Pendarovski ka deklaruar se ai përmes përfaqësuesit të tij merr pjesë në grupin punues për amendamentet kushtetuese dhe me këtë e shpreh qartë qëndrimin e tij politik, se është për ndryshimin e Kushtetutës.

“Unë marr pjesë përmes përfaqësuesit tim dhe me këtë shpreh qartë qëndrimin tim politik, që jam pro atyre ndryshimeve kushtetuese, mendoj se nuk janë diçka e tmerrshme për ne dhe mendoj se vendi nuk do të shembet nëse ne i futim bullgarët, së bashku me gjashtë apo shtatë kombet tjera në Kushtetutë”, ka deklaruar kreu i shtetit.

Në anën tjetër kryeministri Dimitar Kovaçevski theksoi se grupi punues do të jetë transparent në punën e tij dhe se personalisht beson se ministri i drejtësisë do ta informojë rregullisht se si funksionon.

Edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) – Ali Ahmeti në takimin e së mërkurës me ambasadoren e Greqisë në Shkup, Sophia Philippidou ka folur për mes tjerash edhe për rëndësinë e miratimit të ndryshimeve kushtetuese si kusht për të vazhduar aspiratat e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së.

Opozitarja VMRO-DPMNE mbetet në qëndrimin e saj se nuk do të marrë pjesë në grup dhe as nuk do të mbështesë ndryshime kushtetuese në këtë përbërje qeveritare. Kryetari i partisë, Hristijan Mickoski, javën e kaluar tha se tema e amendamenteve kushtetuese për VMRO-DPMNE-në është mbyllur.

Anëtarët e grupit të punës për ndryshimet kushtetuese të mërkurën kanë zgjedhur njëzëri kryetarin dhe nënkryetarin. Kryetare u zgjodh Margarita Caca Nikollovska, ish-gjyqtare në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, ndërsa Bajram Pollozhani, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese dhe profesor i së drejtës kushtetuese, u zgjodh zëvendëskryetar.

Në grupin e punues për ndryshimet kushtetuese janë Cvetanka Ivanova nga LSDM, Arbër Ademi nga BDI, Remzi Mehmedi nga Aleanca për Shqiptarët, Sonja Mirakovska nga PRSD, Nano Ruzhin nga PLD, Hrista Najdanov nga DM, Temellko Risteski nga Partia e Pensionistëve, Rametulla Kuqi nga PDSH, Eran Kurtish nga Partia Lëvizja e Turqve dhe Bexhan Iljas nga Partia Demokratike e Turqve.
Nga institucionet, Aleksandar Spasov është nga Zyra e Presidentit, Dragan Tilev nga Sekretariati për Çështje Evropiane dhe Shpend Sadiki nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Ekspertët e përfshirë në grup janë: Sali Murati – ish kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Margarita Caca Nikollovska – ish-gjyqtare në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, Bajram Pollozhani – ish-gjyqtar kushtetues dhe profesor i së drejtës kushtetuese, Branko Naumovski – ish kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Jeton Shasivari – profesor në Universitetin e Evropës Juglindore, Ana Çupeska – profesoreshë në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë”- Shkup, Elena Mihaillova Stratilati – profesoreshë në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” – Shkup, Besa Arifi – profesoreshë në Universiteti e Evropës Juglindore, Jagoda Mitrevska – profesoreshë në Universitetin Ndërkombëtar Sllav dhe Maria Pandevska – profesoreshë në Institutin e Historisë Kombëtare.

VMRO-DPMNE dhe disa parti më të vogla në opozitë, përkundër thirrjeve nga qeveria, refuzojnë të marrin pjesë në grupin punues. Ata mbeten të mendimit se nuk do të mbështesin ndryshimet kushtetuese dhe se ato nuk do të miratohen gjatë kësaj përbërje parlamentare.

Detyrë e grupit punues do të jetë përgatitja e propozim-iniciativës për nevojën e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Pas hartimit, propozimet do t’i dërgohet Qeverisë, e cila do të duhet ta dërgojë iniciativën në Parlament.(Indeks.mk)