Rrugëve të Tetovës është shtuar dukshëm numri i qenve endacakë.
Banorët thonë se situata po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme, për shkak të sulmeve të vazhdueshme.
“Hallin më të madh e kanë lagjet me shkollat afër, por edhe lagja pas meje, apo tek universiteti i Tetovës, ku numri i qenve është shtuar tej mase, ndërsa viktima e fundit, që ishte studentja nga Kumanova, e pësoi më së keqi nga turma e qenve që e sulmuan. E njëjta, po ashtu u ankua se, nuk është pranuar aspak mirë edhe në organet shëndetësore por edhe organet tjera. Kërkuam sqarim edhe nga komuna e Tetovës, por pa përgjigje. Shkurt na u tha se së shpejti do të ketë mbledhje urgjente të këshillit, pikërisht për temën në fjalë”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar i Alsat.
Banorët e Tetovës kërkojnë nga komuna zgjidhje urgjente të këtij problemi.
“Unë jam vetë një nga viktimat e qenve endacakë, por, për fat të mirë nuk ndodhi diçka më e madhe dhe me këtë punë duhet të mirën institucionet përkatëse. Banorët janë në hall me qentë endacakë, por nuk duhet ne të merremi me qentë, se qen janë ata, po duhet institucionet të mirën me to”.
“Nuk jemi aspak rehat, shumë ka nuk e di. Duhet të merren me këto nuk e di shumë janë shtuar i sjellin me furgona te ne, me maune. Nuk jemi rehat aspak për fëmijët se mendojmë gjithnjë të keqen, sepse nuk ndalen dot kur sulen qentë”.
“Organet duhet të merren me këtë punë, por nuk punojnë aspak. Ata në mëngjes që dalin kanë frik të shkojnë në punë, t`i dërgojnë fëmijët në shkollë. Është shtuar shumë numri, jo pak dil shihe çdo qoshe plot e ke”.
Premtime se do largohen qentë endacakë nga organet komunale, po bëhet tash e dhjetë vite, po pa sukses. Trajtimi i qenve endacakë përmes firmave të vogla, nuk ka dhënë rezultate, sidomos për shkak të buxhetit të pakët. Tenderi i fundit, që u fitua nga “Amon Pet”, njëjtë sikurse edhe ata të shkuarit nuk ka dhënë asnjë rezultat. Komuna e Tetovës, për momentin nuk ka marrëveshje me asnjë firmë për trajtimin e qenve endacakë. Vit më parë dështoi edhe financimi zviceran për ndërtimin e një strehimoreje rajonale për qentë endacakë, për shkak se komunat nuk arritën të merren vesh se te territori i kujt duhet të jetë strehimorja. /Alsat.mk