Rama mesazh Kurtit: Pa aleatët s’do kishte Kosovë! Duhet dialog, jo policë

Kryeministri Edi Rama ka përçuar mëngjesin e sotëm një mesazh për Kosovën, e cila sot ndodhet në një moment të vështirë për shkak të tensioneve në veri të vendit. Në këto kushte, kreu i qeverisë vë theksin se përgjatë këtyre ditëve, Kosova duhet të jetë krah aleatëve të saj, teksa i ka bërë edhe njëherë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të tërheq policinë.

“Si sot e gati çerek shekulli më parë, hyrja e NATO-s në Kosovë u rikujton të gjithëve, se pa aleatët strategjikë të shqiptarëve, miq të mirë në ditët më të këqija, s’do të kishte as Republikë të Kosovës, as liri e demokraci për shqiptarët në Kosovë! Zoti i bekoftë aleatët tanë!

Prandaj bash sot është dita për të reflektuar thellë e për ta nxjerrë Kosovën nga qorrsokaku ku e ka futur grindja absurde me aleatët! Kosova duhet të dalë patjetër prej qorrsokakut me dialog jo me policë, me ide konkrete jo me propagandë, me miq të mirë jo me keqtrajtim të miqve”, shkruan Rama.