Reali, për herë të parë firmos me futbollist nga Porto Riko

Real Madridi firmos deri në vitin 2026 me Xheremi De Leon. Lojtari i datëlindjes së vitit 2004, mbërrin te madrilenët nga klubi i Kastellonit, ndërsa shndërrohet në të parin futbollist nga Porto Riko që bëhet pjesë e “Galaktikëve”.

De Leon aktivizohet në fazën ofensive dhe fillimisht do t’i bashkohet të rinjve të Real Madridit, e nëse ia del që të shkëlqejë, atëherë trajneri Karlo Ançelotti mund t’i dhurojë një shans edhe në ekipin e parë. De Leon konsiderohet një lojtar që i “djeg” mbrojtësit falë shpejtësisë, ndërsa ai vetë refuzoi dy oferta nga klube të La Liga-s, vetëm për t’iu bashkuar Realit.

Me afrimin e De Leon, spanjollët konfirmojnë strategjinë e tyre në vitet e fundit për t’i besuar të rinjve më të talentuar teksa pjesë e organikës së “Los Blancos” janë tashmë emra të konfirmuar si Vinicius Jr, Rodrigo, Kamavinga, Belingam, Tçouameni apo Arda Guler.