Sipas analizës së parë statistikore të pavarur, rreth 47.000 burra rusë kanë vdekur në luftën në Ukrainë, e cila filloi në shkurt të vitit 2022.
Agjencia e lajmeve Assocciated Press raporton se mediat ruse Mediazona dhe Meduza, në bashkëpunim me një hulumtues të të dhënave nga Universiteti Tubingen në Gjermani, hulumtuan regjistrin e vdekshmërinë për të vlerësuar numrin e vdekjeve shtesë te burrat nën 50 vjeç midis muajit shkurt të vitit 2022 dhe majit të vitit 2023, krahasuar me vitet paraprake.
Ata analizuan të dhënat e trashëgimisë dhe të dhënat zyrtare të vdekshmërisë për të hedhur dritë mbi koston e vërtetë njerëzore të pushtimit rus të Ukrainës.
Si Moska, ashtu edhe Kievi, nuk japin të dhëna në kohë reale për humbjet ushtarake dhe përpiqen të minimizojnë viktimat e palës tjetër.
Qeveria ruse ka pranuar zyrtarisht vdekjen e pak më shumë se 6.000 ushtarëve, por raportet për humbjet ushtarake janë shtypur në mediat ruse.
Pavarësisht sfidave, Mediazona, Shërbimi rus i BBC-së dhe një rrjet vullnetarësh kanë ndërtuar një bazë të dhënash të vdekjeve të konfirmuara të luftës duke përdorur postime në rrjete sociale dhe fotografi të varrezave në të gjithë Rusinë.
Që nga 7 korriku, ata kishin identifikuar 27.423 ushtarë rusë të vrarë.
Për të arritur një raport më të plotë, Mediazona dhe Meduza morën të dhënat e rasteve të trashëgimisë të depozituara pranë autoriteteve ruse.
Analiza e tyre zbuloi se në vitin 2022 ishin hapur 25.000 më shumë raste të trashëgimisë për meshkujt e moshës 15 deri në 49 vjeç sesa pritej, dhe deri më 27 maj 2023, numri i rasteve ishte rritur në 47.000.