Rritet në 10.812 numri i të vrarëve nga sulmet e Izraelit në Gaza

Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës është rritur në 10.812, tha sot Ministria e Shëndetësisë në enklavën e bllokuar, raporton Anadolu.

“Në mesin e viktimave gjenden 4.412 fëmijë, 2.918 gra dhe 676 pleq, ndërsa më shumë se 26.000 njerëz janë plagosur”, tha zëdhënësi i ministrisë Ashraf al-Qudra në një konferencë për shtyp në qytetin e Gazës.

Ai tha se 2.650 njerëz, përfshirë 1.400 fëmijë, raportohen gjithashtu të bllokuar nën rrënoja.

“Agresioni izraelit ka lënë 195 mjekë të vdekur dhe 51 ambulanca të shkatërruara”, shtoi zëdhënësi.

Izraeli nisi sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga operacioni ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor. Sipas shifrave zyrtare, që atëherë janë vrarë afro 1.600 izraelitë.

Përveç numrit të madh të viktimave dhe zhvendosjeve masive, furnizimet bazë po mbarojnë për 2,3 milionë banorët e Gazës për shkak të rrethimit izraelit.