Është rritur në 9.500 numri i palestinezëve të vrarë në Rripin e Gazës të cilën Izraeli e mban nën bombardime intensive prej 29 ditësh, transmeton Anadolu.
Shefi i Zyrës për media të qeverisë në Gaza, Selame Maruf në një konferencë për media informoi lidhur me humbjet e jetëve dhe të plagosurve në rajon. Maruf tha se në sulmet izraelite që nga 7 tetori e deri më tani numri i të vrarëve në Gaza ka arritur në 9.500 persona, përfshirë 3.900 fëmijë dhe 2.509 gra.
“Në sulmet izraelite janë shkatërruar 55 xhami, 3 universitete, 3 kisha dhe 3 ndërtesa të Ministrisë së Fondacioneve”, theksoi Maruf duke shtuar se janë dëmtuar 16 spitale, 32 klinika shëndetësore, 27 ambulanca dhe 105 qendra shëndetësore.
– Janë shkatërruar plotësisht 40 mijë ndërtesa
Maruf bëri të ditur se si pasojë e sulmeve 40 mijë ndërtesa janë shkatërruar plotësisht, 220 mijë banesa dhe 88 ndërtesa qeveritare janë dëmtuar ose janë bërë të papërdorshme.
Ai shtoi se ushtria izraelite ka goditur 220 shkolla ku 60 prej tyre kanë mbetur plotësisht jashtë shërbimit.
– Agresiviteti i Izraelit u rrit njëkohësisht me vizitën e sekretarit Blinken
Maruf tërhoqi vëmendjen se Izraeli ka rritur agresionin e tij kundër Gazës në 24 orët e fundit njëkohësisht me vizitën e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken në rajon dhe se forcat izraelite po përpiqen të eliminojë të gjithë jetën në qytetin e Gazës dhe në veri të Rripit të Gazës duke kryer masakra.
Duke paralajmëruar se Izraeli dëshiron të vendosë në objektiv më shumë spitale, Maruf bëri thirrje për furnizimin në mënyrë urgjente të spitaleve me karburant për shpëtimin e jetëve.