Ministria e Brendshme e Rusisë e ka vendosur në listën e të kërkuarve senatorin amerikan, Lindsey Graham, njoftuan mediat ruse më 19 maj, duke cituar bazën e të dhënave të Ministrisë së Brendshme ruse.
Në një video të publikuar nga zyra e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyt, nga takimi mes senatorit Graham dhe presidentit Zelensky më 26 maj, Graham u dëgjua duke thënë se “rusët po vdesin” dhe më pas duke thënë se mbështetja e SHBA-së ishte investimi “më i mirë ndonjëherë”.
Pasi Rusia i kritikoi vërejtjet, Ukraina e publikoi edhe një video të plotë nga takimi mes dy zyrtarëve, ku tregohej se dy citatet e Graham nuk ishin të lidhura mes vete.
Komiteti Hetues i Rusisë tha më 28 maj se po hapte një hetim penal për komentet e senatorit amerikan, por nuk specifikoi se për çfarë lloj krimi po hetohej.
Graham i kundërshtoi kritikat nga Rusia, duke thënë se ai vetëm kishte lavdëruar shpirtin e ukrainasve për t’i rezistuar pushtimit rus me ndihmën e ofruar nga Uashingtoni.
Republikani nga Karolina e Jugut, i njohur për pikëpamjet e tij të ashpra sa i përket politikës së jashtme, ka mbështetur furnizimin e Ukrainës me ndihma ushtarake, për ta ndihmuar atë në në luftën kundër Rusisë.
Më parë, Rusia ka shtuar dhjetëra zyrtarë amerikanë në listat e ndalimit, duke ua ndaluar kështu hyrjen në Rusi. Megjithatë, Kremlini rrallëherë ka kërkuar arrestimin e zyrtarëve të lartë amerikanë