Rustemi del me fakte për NP “Rrugët Shtetërore”: “Ndërtuam rreth 700 kilometra rrjet rrugor, në ndërtim janë 168 kilometra autostrada”

Ejup Rustemi, ish-drejtor në Ndërmarrjen Publike “Rrugë Shtetërore”, nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook ka demantuar me fakte Qeverinë aktuale, shkruan Ditari.mk

Rustemi shkruan se gjatë periudhës sa ka menaxhuar me këtë ndërmarrje, janë rritur të ardhurat nga taksa rrugore  nga 34 milionë euro në vitin 2020 në 62 milionë euro në vitin 2023. Më tej Rustem shkruan se gjatë mandatit të tij janë ndërtuar 700 kilometra rrjet rrugor, duke shtuar se në ndërtim e sipër janë edhe 168 kilometra autostrada, përcjell Ditari.mk. Ndërkaq, Rustemi gjithashtu ia bën me dije Qeverisë së Mickoskit se viti që lam pas 2023 ishte një vit historik sepse siç shton Rustemi filloi së realizuari projekti më i madh infrastrukturor në Maqedoninë e Veriut, Korridori 8 dhe korridori 10D.

 

Postimi i plotë

 

Jam i detyruar të reagoj ndaj deklaratave të pabaza dhe të motivuara politikisht nga ana e udhëheqjes aktuale të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore dhe përfaqësuesve të Qeverisë. Dua të theksoj se gjatë periudhës që kam udhëhequr Ndërmarrjen Publike për Rrugë Shtetërore, kam vepruar në përputhje të plotë me ligjin dhe në interes të qytetarëve të vendit tonë.
Këto akuza janë një përpjekje e qartë për të dëmtuar reputacionin tim dhe për të devijuar vëmendjen nga problemet dhe sfidat reale me të cilat përballet shteti në infrastrukturën rrugore.
Gjatë mandatit tim, që nga viti 2021, kemi arritur një nivel të lartë të realizimit të Programeve Vjetore dhe një rekord në realizimin e investimeve kapitale në vend.
Ne kemi punuar me përkushtim për qëllimet kryesore – ndërtimin, sanimin, rikonstruimin, mirëmbajtjen dhe sigurinë e rrugëve shtetërore.
Vitin e kaluar realizuam një nivel rekord të investimeve në rrugë të reja moderne, si dhe një vit rekord për të ardhurat nga taksa rrugore. Viti i kaluar ishte vit historik sepse filluam projektin më të madh infrastrukturor – ndërtimin e autostradave në Korridorin 8 dhe Korridorin 10 D.
Të nderuar,
Gjatë këtyre tre viteve të fundit, kemi rritur ndjeshëm nivelin e investimeve kapitale, duke arritur mbi 400 milionë euro investime në vitin 2023.
Përsëris disa nga rezultatet e Ndërmarrjes gjatë kësaj periudhe:
– Të ardhurat nga taksa rrugore i kemi rritur nga 34 milionë euro në vitin 2020 në 62 milionë euro në vitin 2023;
– Ndërtuam rreth 700 kilometra rrjet rrugor;
– Në ndërtim janë 168 kilometra autostrada;
– Në ndërtim janë 51 kilometra rrugë ekspres;
– Rehabilituam dhe ndërtuam rreth 100 kilometra rrugë rajonale;
– Implementuam sistemin RAMS dhe sistemin e menaxhimit të urave;
– Realizuam një nivel të lartë të mirëmbajtjes dhe pastrimit të autostradave, etj.
Gjatë kësaj periudhe, Enti Shtetëror i Revizionit ka kryer revizion të punës së Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore. Raportet e revizionit janë publike për të gjithë të interesuarit, që mund të binden për punën e drejt dhe të suksesshme të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, ka shkruar në rrjetin social Facebook Ejup Rustemi.