Shkronjat që emancipuan kombin shqiptar na Manastirin e bashkëjetesës midis popujve!

letrare, ndarje çmimesh e shumëçka tjetër, janë pjesë e 115-vjetorit të Kongresit të Manastirit, për t’i dhënë peshën e merituar që kanë ato 36 shkronja në emancipimin e përgjithshëm kombëtar tonin, në një bashkëpunim të tri akademive, me vizitën e presidentëve të Shqipërisë dhe Kosovës dhe me nikoqirllëkun e Qeverisë së Maqedonisë, për t’ia ngritur edhe më shumë karakterin institucional që si vend ia kemi dhënë Ditës së Alfabetit të Gjuhës shqipe

Shkruan: indeks.mk

Nëntori është muaj i festave kombëtare në gjithë botën shqiptare, sepse në të bien dy ditët kyç për emancipimin kombëtar: shpallja e pavarësisë dhe Dita e Alfabetit. Pavarësisht se në cilin vend jetojnë, shqiptarët i kujtojnë përherë, sepse ato shënojnë kthesë në historinë e tyre, hapin një kapitull të ri në zhvillimin e tyre të gjithmbarshëm.

Kapitulli që ka të bëjë me krijimin e shtetit të tyre, është një temë e gjerë dhe shumë i debatuar nga historianë dhe nuk është rasti për t’iu kthyer. Për ne në Maqedoni, veçanërisht është i rëndësishëm Kongresi i Alfabetit, sepse drejtpërdrejt lidhet me ne për shkak se duke qenë Manastiri pjesë e Maqedonisë, ajo na bie hise për të qenë bartës të shënimit për çdo vit. Dhe duhet thënë që në fillim, se këtë borxh dhe obligim, po e kryejmë gjithnjë e më denjësisht, sepse është ngritur në nivel institucional.

Kjo, sigurisht bazohet edhe në faktin e ndikimit të drejtpërdrejtë të faktorit shqiptar në sistem, duke u përpjekur që të heqë mjegullnajat ideologjike dhe paragjykimet që i kanë përcjellë ato, si “datë e huaj” që s’i përket Maqedonisë, siç e kanë trajtuar disa qarqe nacionaliste e etnocentriste. Tejkalimi i paragjykimeve, ka bërë që kjo ditë të hyjë në kalendarin e festave që shënohen nga shqiptarët(dhe është festë për ta), por edhe më shumë se kaq, 22 nëntori është bërë dhe çmim shtetëror që jepet në fushën e arsimit për çdo vit.

Përveç rutinës së shënimit, Dita e Alfabetit në 115 vjetorin e saj, sivjet vjen dhe me një shkallë më të lartë përmbajtësore. Këtë nuk ia japin vetëm prezenca e paralajmëruar e kryetarit të Shqipërisë, Bajram Begaj dhe kryetares së Kosovës, Vjosa Osmani, nikoqir zyrtar i të cilëve është Qeveria e Maqedonisë, por dhe për herë të parë, në Ditët e Alfabetit, janë kyçur edhe tri akademitë e shkencave dhe arteve të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës, që bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe këmbimit tregtar, e thellon edhe në fushën e shkencës, kulturës dhe artit.
Kjo mbase është rezultat i një filosofie të re që e ka promovuar edhe kjo qeveri, që ka në thelb respektin e vlerave të secilës bashkësi etnike, dhe të bashkëpunimit me të gjithë fqinjët, gjë që në të kaluarën, por dhe tash ka pasur dhe ka forca, që kanë qasje të kundërt.

Shënimi i përbashkët ka rëndësi të shumëfishtë. Pak është të thuash se ai thellon bashkëpunimin në fushën e marrëdhënieve ndërakademike. Sepse ky është kontribut në përafërimin e vendeve dhe popujve, në njohjen e vlerave të tyre, në gjetjen e pikave të përbashkëta.

Alfabeti i gjuhës shqipe vendlindjen e ka në Manastir, pra në një nga qytetet më të njohura të Maqedonisë, si në të kaluarën, si në të tashmen, në qytetin ku kanë nisë lëvizje vizionare të popujve që kanë jetuar, në qytetin, në qytetin e Qiriazëve, në qytetin qerthull të veprimtarëve maqedonas, vllehë e shqiptarë, në qytetin e konsujve ku kanë kaluar personalitete të njohura historike, ndër ta edhe Mustafa Qemal Ataturku i Turqisë moderne, në qytetin ku është ngjizur lëvizja e xhonturqve, në qytetin ku përfaqësuesit e intelegjenices shqiptare nga 14 deri 22 nëntor 1908 e mbajtën Kongresin e Mansitir dhe u morën vesh për Alfabetin që kemi sot.

E ardhmja mund të projektohet, por e kaluara është kokëfortë dhe e pandryshuar. Pikërisht kjo e kaluar, ndryshe nga ç’e mendojnë disa qarqe edhe sot që duan ta ndryshojnë edhe të kaluarën, tregon për historinë e një Manastiri multietnik, multikonfesional e multikulturor. Prandaj, organizimi i këtyre manifestimeve të Ditës së Alfabetit, jo vetëm që e valorizon denjësisht atë, por dhe e rivalorizon edhe një herë gjithë atë që do të duhet të jetë respekt, së pari ndaj vlerave të një populli, por dhe respekt i vlerave të popujve të tjerë dhe thellim i mirëkuptimit të ndërsjellë midis tyre.
Siç e dimë, tashmë kemi hyrë në javën e manifestimit të 5-të të Ditëve të Alfabetit. Pas këtij manifestimi qëndron Qeveria e Maqedonisë së Veriut, Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, në bashkëpunim me Institutin për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve dhe Ansamblin Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare. Ekspozita, koncerte, akademi solemne, lexime letrare, ndarje çmimesh e shumëçka tjetër, janë pjesë e 115-vjetorit të Kongresit të Manastirit, për t’i dhënë peshën e merituar që kanë ato 36 shkronja në emancipimin e përgjithshëm kombëtar tonin.

Sëkëndejmi, kanë peshë edhe fjalët e zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubit, kur thotë: “Nga këtu le të reflektojmë mbi atë rrugëtim qëndrese e sakrifice të të parëve tanë për të ruajtur gjuhën tonë nga stuhitë që synonin zhdukjen e saj, le të përcjellim tek brezat e rinj rëndësinë e atij thesari veprues e atij guximi atdhetar falë të cilit jemi në këmbët tona, krenar dhe duke hapëruar drejt shtigjeve të përparimit me gjuhën tonë të shkruar.” /indeks.mk