Si të kujdesemi në mënyrën e duhur për dekoltenë: Çfarë duhet të bëni dhe çfarë jo

Shpesh anashkalohet si rutinë e kujdesit ndaj lëkurës në tërësi, pasi pak e dinë që dekolteja është një zonë që kërkon vëmendje të veçantë

Pjesa nga poshtë nofullës te qafa, gjoksi dhe deri te shpatullat është një zonë super delikate. “Lëkura këtu është shumë më e hollë se lëkura e fytyrës,” thotë dermatologia Mary Lupo.

“Ka më pak yndyrë dhe më pak gjëndra djerse apo dhjamore. Kjo e bën lëkurën më të ndjeshme ndaj faktorëve të jashtëm si dielli, i ftohti”, shkruan Instyle.

Ndaj, sipas dermatologëve dekolteja nuk duhet të neglizhohet dhe ja mënyra e duhur si të kujdeseni për të:

Çfarë duhet të bëni: Mbrojtje nga dielli

Dekolteja merr rreze dielli po aq sa fytyra, por njerëzit priren të kujdesen mirë për fytyrën duke lënë pas dore gjoksin dhe qafën. Gjithmonë aplikoni krem kundër diellit në këtë zonë me SPF të paktën 30.

Çfarë nuk duhet: Përdorni kremra me përbërës të fortë

Për shkak se lëkura te dekolteja është shumë e hollë, kremrat me acid që përdorni në fytyrë mund të jenë shumë të forta për këtë zonë. Ndaj, rekomandohen kremra të lehtë hidratues.

Çfarë të bëni: Hidratojeni rregullisht

Dekolteja është një zonë që duhet ta mbani të hidratuar. Zbutësit e kremrave hidratues e bëjnë lëkurën të fortë dhe të shëndetshme, madje reduktojnë mundësinë që rrudhat të theksohen para kohe.

Çfarë nuk duhet të bëni: Mos flini gjumë anash

Nëse parandalimi i rrudhave është një prioritet për ju, dermatologia Lupo thotë që të shmangni sa më shumë fjetjen në pozicionin anash. Ky pozicion ushtron presion pikërisht në mes të dekoltesë dhe me kalimin e kohës bën që rrudhat të thellohen.

Çfarë të bëni: Përdorni antioksidantë

Kremi i diellit mbron lëkurën nga dëmtimi prej rrezeve ultravjollcë, ndërsa antioksidantët e mbrojnë lëkurën nga faktorëve mjedisorë si ndotja. Një krem me vitaminë C dhe antioksidantë ndihmon për të mbajtur lëkurën të shëndetshme, citon Anabel.

Çfarë nuk duhet të bëni: Trajtime me laser

Nëse keni lëkurë të ashpër në zonën e dekoltesë, laseri mund të jetë super efektiv në trajtimin e papërsosmërive dhe nxitjen e kolagjenit. Por, për shkak se lëkura është kaq e hollë dhe e brishtë te dekolteja, pas laserit shërimi bëhet më i vështirë, ndaj përdoreni sa më pak metodën e laserit si trajtim.