Sot në Tetovë fillon ndërtimi i Korridorit 8, ëndrra disadekadëshe dhe shumëgjeneratëshe po realizohet!

Në mënyrë solemne sot në ora 12 në Tetovë do të vendoset gurthemeli për ndërtimin e Korridorit 8-të. Në këtë akt solemn përveç liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) – Ali Ahmeti do të marrë pjesë edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Shkup, Angela Aggeler, si dhe përfaqësues të tjerë shtetëror, të korit diplomatik dhe mysafirë nga vendi e rajoni.

Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi ka deklaruar se me fillimin për ndërtimin e Korridorit 8-të, ëndrra disadekadëshe dhe shumëgjeneratëshe po realizohet.

“Erdhi dita miq, dita e shumëpritur dhe e shumëdëshiruar e vendosjes së gurthemelit të ndërtimit të autostradës me gjashtë korsi të korridorit 8, nga Kumanova, Shkupi, Tetova, Gostivari, Kërçova, Struga e deri në Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Ëndrra disadekadëshe dhe shumëgjeneratëshe po realizohet. Nesër fillojmë”, ka deklaruar Grubi.

Drejtori i Ndërmarrjes për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi ka deklaruar se shpreson që projekti Korridori 8 të jetë gati në fillim të vitit 2028. Sipas Rustemit, kualiteti i punimeve nuk duhet të vihet në diskutim, duke përmendur edhe kompaninë e njohur amerikane që do t’i kryejë punimet.

“Ne jemi të bindur se më 1 Janar të vitit 2028 do të lëvizim me një autostradë shumë të sigurtë… Shpresojmë se ndërtojmë Unazën e Kombit dhe në vitin 2028 do të lëvizim shumë të sigurt, shumë shpejt dhe do të jemi më afër njëri tjetrit… Nëse e shikojmë në aspektin kohor nga viti 93 e deri tash, atëkohë na duheshin 14 orë që të shkojmë deri në Tiranë. Sot shkojmë për 5 orë dhe në 2028-ën do të shkojmë në më pak se 2 orë”, deklaroi mes tjerash Ejup Rustemi.

Në anën tjetër edhe ministrit i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi është shprehur i bindur në suksesin e projektit Korridori 8, që duhet të fillojë nga dita e sotme. Sipas Bekteshit, janë të pabaza akuzat e opozitës për kompani të dyshimta të përfshira në këtë projekt. Ai thotë se vet emri i kompanisë amerikane realizuese të projektit mjafton si dëshmi për kualitet dhe seriozitet të projektit.

“Kompani Behtel dhe Enka është kompani serioze që e ka dëshmuar veten në vendet tjera dhe ne i kemi parë ato punë. Nuk kam dëgjuar se ka ndonjë dyshim apo vërejtje sa i përket realizuesit të projektit… Një kompani e përmasave të tilla nuk lejon që t’i rrënohet imazhi të cilin e ka ndërtuar në nivel global nga ndonjë kompani me dyshime”, tha Bekteshi.

Ky projekt i rëndësishëm, do të mundësojë lidhjen me komunikacion rrugor modern midis Shkupit me Tiranën, por në mënyrë indirekte, edhe me Prishtinën, kurse rëndësi të jashtëzakonshme ka edhe në planin rajonal e ndërkombëtar, përfundimi i të cilit pritet në vitin 2027. (Indeks.mk)