Sot takohen Kovaçevski dhe Mickoski

Liderët e partive më të mëdha maqedonase, LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, sot në ora 11:00 në Klubin e deputetëve është paraparë të realizojnë takimin e parë të liderëve për këtë vit, në të cilin temë kryesore pritet të jenë ndryshimet kushtetuese për përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

VMRO-DPMNE vazhdon të jetë kundër, ndërsa LSDM shpreson se Mickoski do t’i pranojë amendamentet kushtetuese sepse sipas tyre, ato janë rruga e vetme për në BE.

Zv. kryeministri Bojan Mariçiq tha se pret që të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me ndryshimet kushtetuese të shtrohen në takimin e liderëve, të diskutohet vetë teksti dhe procesi se si të zbatohen sa më shpejt dhe thjesht, në mënyrë që të vazhdojë negociatat dhe heqja e bllokadës së mundshme.

Në takim, siç njoftoi kryeministri Dimitar Kovaçevski, në fokus do të jenë dy tema, zbatimi i vendimeve për integrimet evropiane të vendit dhe e dyta do të jenë aktivitetet e të gjithë politikanëve në Maqedoni në raport me marrëdhëniet me fqinjët./Telegrafi/