Sot vendoset gurthemeli i Korridorit 10D

Pas vendosjes së gurthemelit të Korridorit 8 më 4 prill, sot do të vendoset gurthemeli i Korridorit 10D, duke plotesuar kështu punën nismëtare infrastrukturore drejt këtij projekti kapital më interes strategjik.

Projekti i Korridorit 8 përfshinë një gjatësi prej 68 Km edhe atë autostradë me 6 korsi, që do të lidhë Tetovën me Gostivarin, Kërçovën, Strugën e deri në Qafë Thanë, ndërsa Korridori 10-D, në gjatësi prej 40 km autostradë me 6 korsi, që do të lidhë Prilepin me Manastirin.

Ky projekt madhor parashihet të kushtojë 1.3 miliardë euro.

Ndryshe, projekti historik Korridori 8 dhe ai 10 D, do të finalizohet në periudhë prej 6 viteve që nga fillimi i punimeve.

Realizimi i këtij investimi më të madh kapital në historinë e vendit tonë do të kontribuojë në ekonominë, modernizimin e infrastrukturës rrugore, e në të ardhmen do të mundësojë zhvillim shtesë të shërbimeve, kushte më të mira për zhvillimin e biznesit, jetë cilësore dhe lidhje me fqinjët dhe korridoret ndërkombëtare.

Theksojmë se në portalin informativ Indeks.mk do të jeni të informuar për të gjithë aktivitetin e sotëm i cili pritet të filloj nga ora 12:00.