Stoltenberg: Shkatërrimi i hidrocentralit në Ukrainë akt mizor

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dënoi shkatërrimin e hidrocentralit pranë digës së dëmtuar në Nova Kakhovka, në jug të Ukrainës, duke e cilësuar si ate një akt mizor.

“Shkatërrimi i digës në Kakhovka vë në rrezik jetën e mijëra civilëve”, shkroi Stoltenberg në Twitter.“Shpërthimi i hidrocentralit pranë digës së dëmtuar në Nova Kakhovka, gjithashtu shkakton dëme të rënda mjedisore”, tha ai.

Stoltenberg shtoi se incidenti dëshmon edhe një herë brutalitetin e luftës të Rusisë në Ukrainë.

Një hidrocentral pranë digës së dëmtuar në Nova Kakhovka,  në jug të Ukrainës është shkatërruar, sipas zyrtarëve rusë dhe ukrainas.

“Është e qartë se riparimi i tij nuk do të ishte i mundur”, tha kryetari i bashkisë së Nova Kakhovka, Vladimir Leontyev, i emëruar nga Moska.

Operatori ukrainas i centralit tha gjithashtu se ai ishte shkatërruar plotësisht.

Secila palë në luftë fajësuan njëra -tjetrën për dëmtimin e digës.

Pas ngjarjes, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare.