Stuhia “Ciaran” e cila ka përfshirë Evropën goditi edhe Shqipërinë të premten duke shkaktuar përmbytje në disa zona dhe probleme në qarkullim.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak paralajmëron se reshjet e shiut në formën e shtrëngatave do të vijojnë deri të dielën.
Për këtë arsye Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri në të gjithë vendin për të menaxhuar situatën, ndërsa evidenton si zona me rrezik më të lartë: Tiranën, Lezhën, Fushë Krujën, Durrësin dhe Elbasanin. Në gatishmëri janë edhe forcat zjarrfikëse dhe ato të emergjencave civile.
Vetë kryeministri Edi Rama iu bashkua apeleve që lëshuan institucionet që qytetarët të bëjnë kujdes, ndërsa theksoi se të gjitha strukturat shtetërore janë në terren për të siguruar kthimin në normalitet.
Për shkak të stuhisë reshje të pazakonta përfshinë kryeqytetin dhe përmbytën disa rrugë në Tiranë, duke krijuar dhe një bllokim të lëvizjes së makinave.
Lumi Lana doli nga shtrati duke shkaktuar përmbytje të zonës së Unazës.
Po kështu si pasojë e shiut dhe erës së fortë në afërsi të Pallatit me Shigjeta u shkëput një objekt, i cili dëmtoi në kokë punonjësin 37-vjeçar të Komisariatit të Policisë Rrugore.
Një tjetër person mbeti i dëmtuar, kësaj radhe në Korçë, pasi dyshohet se nga moti i keq u shkëput fasada e një pallati.
Gjithashtu pemë të shumta u thyen në rrugë, duke vështirësuar qarkullimin e qytetarëve dhe shoferëve.
Në Tiranë po punojnë 10 njësi nga zjarrfikëset dhe ushtria, pasi ka pasur përmbytje në zonën e Yrshekut, Mëzezit, Kombinatit dhe Pallatit me Shigjeta.
Edhe disa rrugë në Durrës u bllokuan duke sjellë vështirësi në qarkullim.
Përtej kushteve të vështira atmosferike, prej disa orësh punonjës të bashkisë Shkodër po punojnë për zhbllokimin e aksit rrugor Theth-Ndërlysaj, e cila është bllokuar në tre vende si pasojë e motit të keq dhe rrëshqitjes së gurëve.
Deri më tani, është bërë i mundur zhbllokimi i dy pikave pranë zonave të njohura nga banorët si “Shkëmbi i Thethit” dhe pranë “Centralit”.
Për shkak të motit të keq, një pjesë e rrugës në dalje të qytetit të Klosit ka pësuar dëmtime dhe është bërë devijimi i qarkullimit të mjeteve që lëvizin nga Klosi për në Tiranë.
Qytetarët e bashkisë Klos dhe Mat, që duan të lëvizin në drejtim të Tiranës deri në pastrimin e rrugës nga firma kontraktore do të ndjekin aksin e vjetër Klos-Burrel-Ulëz.
Përmes një raporti për dëmet e shkaktuara nga stuhia, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi se nuk janë në funksion 64 fidera, kryesisht në zonat rurale.
Disa fshatra në Maliq po përballen me mungesë të furnizimit me energji elektrike si pasojë e këputjeve të telave.
Reshjet e dendura të shiut dhe era e fortë kanë bërë që dy pemë të rrëzohen në aksin rrugor Drithas-Libonik, për pasojë morën me vete edhe telat që shërbenin për furnizimin me energji.
Ende me këtë problematikë po përballen Rëmbeci, Ormani, Tërova dhe Sheqeras, përfshirë disa fshatra të thellë. Rruga ku u rrëzuan pemët u hapën, por sërish nuk është arritur rikuperimi problemit.
Aktualisht ka ndërprerje të punës në Stacionin Konjat, i cili furnizon me ujë qytetin e Lushnjës pasi është ndërprerë energjia elektrike. Në të gjithë vendin situata e furnizimit me ujë si dhe impiantet e përpunimit të ujërave të ndotura janë në funksionim të plotë.
Reshjet e dendura dhe era e fuqishme shkaktuan pezullimin e përkohshëm të operacioneve në portin e Durrësit. Gradualisht ka rifilluar veprimtaria në terminalet portuale.
Në portin e Vlorës është ndaluar ditën e sotme dhënia e lejes për lundrim e mjeteve të vogla dhe anijeve të peshkimit, si dhe janë njoftuar për marrjen e masave për sigurimin e tyre në vendet e akostuara. Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht.
Në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe aeroportin ndërkombëtar të Kukësit nuk ka pasur problematika të raportuara.
Situata e krijuar si pasojë e reshjeve intensive pothuaj në të gjithë territorin e vendit paraqitet më e mirë, por strukturat e emergjencave civile vijojnë punën në terren për eliminimin e çdo pasoje.
Tri ekipe nga Forcat e Armatosura janë angazhuar në ndihmë të punonjësve të bashkisë së Tiranës, ku situata është përmirësuar ndjeshëm, thekson Ministria e Mbrojtjes.
Reklama
Vëmendje e shtuar është në qarqet Dibër e Shkodër, ku po punohet për pastrimin e disa akseve.
Nisur nga kjo situatë u bëhet thirrje qytetarëve të njoftojnë në kohë, në rast nevoje dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme. /Tch