Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ka reaguar pas protestës së njesive elitare të Policisë së Kosovës.
Përmes një shënimi në Facebook, Sveçla ka thënë se Kosova është vend shumë i varfër dhe ka buxhetin më të vogël në Evropë.
“Republika e Kosovës është vend i varfër dhe me buxhetin më të vogël në Evropë. Por, Republika e Kosovës është e themeluar mbi sakrificën e luftës për liri, me akte heroike dhe humbje në njerëz. Mbrojtësit e Republikës sot janë njerëzit më të vlerësuar prej popullit të Kosovës”.
Ai thotë se kërkesat janë të shumta dhe ka kategori shoqërore të cilat kanë shumë vështirësi përgjatë jetesës së tyre.
Ministri i Brendshëm megjithatë thotë se Njësitë Speciale kanë pasur mbështetjen më të madhe financiare nga Qeveria.
“Si Ministri e Punëve të Brendshme, nga 9 agjenci ekzekutive, Policia e Kosovës ka pasur mbështetje dhe fokus të veçantë me qëllim të mobilizimit në luftimin e krimit, kontrabandës, mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit. Nga vetë Policia e Kosovës, Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar ashtu edhe me ngritjen në strukturë”.
Ai thotë se Njesitë Speciale në fillim të mandatit i kanë gjetur në kushte të vështira.
“Me marrjen e mandatit, pjesëtarët e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës i kemi gjetur pa uniforma, pa pajisje mbrojtëse për jetën e tyre, pa kushte të punës e me ushqim të mangët e jo cilësor”.