Brenda pak orësh, sipas “Gazzetta dello Sport”, Thiago Motta do t’i komunikojë vendimin që ka marrë presidentit të Bologna, Joey Saputo: do të jetë lamtumirë. Klubi kuqeblu, që priste shenja rinovimi nga trajneri për muaj të tërë, e ka kuptuar trendin prej pak kohësh. Nuk përjashtohet që Thiago, duke folur me presidentin Saputo, të shpjegojë destinacionin shumë të mundshëm për të cilin flitet prej disa kohësh: Juventusin.
Në bisedën që do të ketë Motta me Saputo do të shqyrtohen gjëra të ndryshme, nga të dyja palët. Presidenti do të propozojë një plan 3-vjeçar që përfshin investime prej 100 milionë eurosh, me idenë e ndërtimit të një skuadre të re, dëshirën për të mbajtur Calafiori dhe ndoshta më shumë liri të trajnerit në merkato.
Thiago do të vendosë dëshirat e tij në tavolinë, mbi të gjitha akses total në merkato, që do të thotë zgjedhjen e lojtarëve (4-5 të tillë) për sezonin e ardhshëm, ngritjen e skuadrës. Një skenar që në fakt mund të dobësojë duetin e drejtorëve Sartori-Di Vaio.
E thënë ndryshe, Thiago Motta nuk dëshiron të jetë pjesë e projektit të ri të Bologna, por autor i tij. Lamtumira do të diktohej nga motivet e ardhshme, por edhe nga kërkesat e ndërlikuara që mund të plotësoheshin nga presidenti.
Klubi i Juventusit është spektator për momentin, pret që Thiago Motta (kontrata i skadon më 30 qershor) të lirohet për të zyrtarizuar kontratën 2-vjeçare (me opsion për vitin e tretë), me vlerë 3.5 milionë euro në sezon, e cila tashmë është gati për të.
Ndeshja në “Dall’Ara” konfirmoi se ish-mesfushori është njeriu i duhur mbi të cilin mund të ndërtohet e ardhmja e skuadrës bardhezi. Pas periudhës 3-vjeçare të “Allegri bis”, Juventusi dëshiron të rifillojë mbi baza të reja.