Tre të vdekur e 25 të plagosur në një sulm masiv rus në Ukrainë

Të paktën tre persona janë vrarë dhe 25 të tjerë janë plagosur në një sulm masiv me raketa ruse në qytetin Kryvyi Rih në Ukrainë, raportoi të martën “Al Jazeera”.

Autoritetet lokale kanë bërë të ditur se sulmi ka ndodhur në një ndërtesë banimi shumëkatëshe.

“Një ndërtesë pesëkatëshe u shkatërrua. Sipas raportimeve të para, tre banorë të saj kanë humbur jetën. 25 persona u plagosën”, ka thënë Serhiy Lisak, guvernatori i rajonit Dnipropetrovsk ku ndodhet Kryvyi Rih.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka reaguar pas rastit, duke thënë se terroristët rusë nuk do të falen dhe do të mbahen përgjegjës për çdo raketë që e lëshojnë.

“Fatkeqësisht, ka të vdekur dhe të plagosur. Operacioni i shpëtimit në Kryvyi Rih vazhdon. Ngushëllimet e mia për të gjithë ata që kanë humbur të dashurit e tyre”, ka shkruar ai në një postim në Twitter.