“Rekonstruimi i tërësishëm i tunelit në rrugën Shkup – Bllacë (kufiri me Kosovën), duhet të përfundojë në muajin tetor këtë vit. Rekonstruimi i plotë i pjesës tjetër të rrugës ka përfunduar”, kështu ka shkruar fillimisht, zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi në “Facebook”.
Duke shprehur keqardhje, zëvendëskryeministri i parë, Grubi ka thënë se për arsye të mosrespektimit të sinjalistikës rrugore në tunel nga individë të papërgjegjshëm, por edhe nga fluksi shumë i shtuar i trafikut, po krijohen rradhë të gjata të veturave, njofton indeks.mk.
“Pas reagimeve dhe kërkesave të shumë qytetarëve, mbrëmë dhe sot, ndërmarrja e rrugëve zhvilloi biseda me realizuesin e punimeve dhe mbikqyrësin. Asfaltimi i njërës korsi të tunelit përfundon ditën e hënë. Më pas, po shohim mundësinë që nga dita e martë, të ndërpriten punimet në korsinë tjetër për të mundësuar trafik të pandërprerē në të dy korsitë gjatë muajit gusht në mënyrë që të shmangen rradhët e gjata gjatë sezonit turistik dhe fluksit të shtuar të makinave. Punimet në tunel do të vijojnë në shtator dhe afati i përfundimit gjithashtu spostohet”, ka shkruar Grubi.