U shpall kampion i Shqipërisë, Partizani mbush arkën, ja sa para do përfitojnë

Partizani u shpall kampion i Shqipërisë për herë të 17-të në histori.

Të kuqtë e kryeqytetit triumfuan vetëm në fund falë avantazhit në ndeshjet direkte përballë rivalëve të qytetit, pasi edhe Tirana e mbylli me pikë të barabarta në renditje.

Por diferencën e bënë 2 derbet e fituara nga skuadra e Giovanni Colella. Një sukses madhështor për “Demat e Kuq”, që do të ketë jo pak ndikim edhe në financat e klubit.

Kampionët e Shqipërisë, deri tani kanë siguruar mbi 1 milion euro fitime. Gjithçka ka të bëjë me shpërblimet nga Federata Shqiptare e Futbollit, UEFA, si edhe Bashkia e Tiranës.

100 milionë lekë të vjetër jep FSHF për skuadrën kampione, teksa 150 milionë lekë të vjetër shpërblim do të akordojë edhe Bashkia e Tiranës. Sa i përket UEFA-s, ekipi kampion, në këtë rast Partizani, merr si bonus 260 mijë euro.

Demat, 100 mijë euro të tjera i fitojnë nga pjesëmarrja në turin e parë kualifikues në Champions League. Në rast eliminimi, Partizani do të luajë sërish në Europë: në turin e dytë të Conference League.