VMRO dhe Mickoski dëshpërojnë edhe SHBA-të, qytetarët ka kohë që i kanë zhgënjyer!

Kryetari i opozitares VNMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski mashtron anëtarët dhe simpatizantët e VMRO-DPMNE-së, duke folur shpesh nëpër organet partiake se raporti i tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i shkëlqyeshëm, kështu është shprehur në intervistë për portalin “Infomax”, Filip Petrovski – ish-deputeti dhe ish-zyrtari i lartë i opozitares VMRO-DPMNE, përcjell Indeks.mk

“Mickoski gënjen anëtarët e VMRO-DPMNE-së se është i afërt me SHBA-të dhe se mban takime të fshehta me ta. Mickoski ka tendencë të gënjejë anëtarët, duke folur shpesh nëpër këshillat lokale të partisë se pozita e tij dhe afërsia me Ambasadën Amerikane në Shkup është e shkëlqyer dhe se ka takime të fshehta dhe se është shumë i afërt me ta. Por sigurisht që nuk është e vërtetë”, ka deklaruar Petrovski.

Edhe deklaratat e fundit që vijnë nga ambasadorja e SHBA-vë në Shkup, Anxhela P. Ageler janë në vijë të këtij konstatimit të Petrovskit.

Ageler në intervistë për MIA-n shprehi zhgënjim për shkak se opozita, pa disponuar me të gjitha faktet dhe informatat, e kritikon projektin, duke cekur se atë e bën për arsye politike, për marrje të pikëve politike.

Lidhur me disharmoninë e pushtetit dhe opozitës për marrëveshjen me “Behtel dhe Enka”, me çrast për të parin kjo është marrëveshje e shekullit, ndërsa për të dytën vjedhje e shekullit, por edhe për praninë e saj në ngjarjen solemne, të cilën opinioni e priti si mbështetje për projektin, Ageler thekson se ajo si ambasadore dhe Ambasadë amerikane bëjnë gjithçka është në fuqinë e tyre për promovim të investimeve amerikane në vend. Ageler theksoi se kjo është në interes jo vetëm të investuesve dhe kompanive amerikane, por kjo është mjaft e volitshme edhe për qytetarët e këtij vendi.

“Konsideroj se është mjaft zhgënjyese ajo që ata në opozitë kritikojnë pa të gjitha faktet apo kritikojnë diçka për të cilën nuk kanë informatë. Atë e bëjnë thjeshtë vetëm për të qenë kundër Qeverisë, po, kjo është puna e opozitës, por njëkohësisht jam plotësisht e bindur se procesi në të cilin është i involvuar ‘Behtel’ është tërësisht transparent dhe ligjor, sepse ata punojnë në atë mënyrë, përndryshe nuk do të kishin pasur projekte çdo kund në botë dhe një numër të caktuar këtu në rajonin e Ballkanit Perëndimor, nëse nuk do të kishin qenë kompani e besueshme edhe qytetarët e këtij vendi do të jenë mjaft të lumtur t’i kenë korridoret 8 dhe 10d, kur do të kompletohen. Mendoj se bisedimet akoma zgjasin, por konsideroj se është për keqardhje që të tillë, të cilët do të qëndrojnë në rrugë, thjeshtë për të përfituar pikë politike”, theksoi Ageler. (Indeks.mk)