Xhaferi në Samitin e liderëve në Kotor: Reformat janë hapi kryesor për afrimin e rajonit me BE-në

Kryeministri i RMV-së Talat Xhaferi, në suazat e pjesëmarrjes në Samitin rajonal të liderëve në Kotor, me moton “Një rajon, vizion i përbashkët”, u drejtua në Panelin “Gjendja në terren dhe planet e ardhshme – plan i ri i rritjes”. Në fjalën e vet, Kryetari i Qeverisë theksoi se pavarësisht asaj që Maqedonia e Veriut gjendej në periudhë parazgjedhore, për Qeverinë, euro integrimi ishte prioriteti kryesor dhe ishte e përqendruar në zbatimin e reformave prioritare të cilat janë të rëndësishme për anëtarësimin e shtetit në BE, njoftojnë nga kabineti i Kryeministrit.

“Qeveria që e drejtoj, mbetet e përkushtuar ndaj realizimit të agjendës evropiane, e cila kërkon zbatimin e reformave thelbësore dhe harmonizim me të drejtën dhe standardet e Bashkimit Evropian.

Në plotësim, e përshëndes miratimin e Rregullores për Mekanizmin e reformës dhe rritjes, me të cilën janë siguruar mjete financiare shtesë për mbështetjen e reformave, e përdorimi i të cilave është ndërlidhur me dhënien e rezultateve. Periudhën e kaluar, edhe përkundër faktit se Maqedonia e Veriut ishte në periudhë zgjedhore, kemi punuar në mënyrë intensive në finalizimin e Agjendës tonë reformuese 2024-2027. Drafti i fundit i Agjendës reformuese, i miratuar nga Qeveria, është ndarë me Komisionin Evropian në fillim të majit”, tha Kryeministri Xhaferi.

Në kuadër të këtij procesi, potencoi Kryetari i Qeverisë, Talat Xhaferi, në dy muajt e kaluar, Maqedonia e Veriut parashtroi para-aplikim për anëtarësim në SEPA dhe Qeveria shpalli thirrje publike në të cilën aplikuan më shumë qendra maqedonase për inovacione digjitale.

“Këto janë hapa të vegjël, por të rëndësishëm, që e konfirmojnë drejtimin e lëvizjes së vendit. Pres që me të njëjtin entuziazëm dhe përkushtim të zbatohen udhërrëfyesit më të fundit që kanë të bëjnë me afrimin e përshpejtuar ndaj tregut të përbashkët të brendshëm, por edhe zbatimin e Agjendës reformuese.

Dhe, e fundit por jo më pak e rëndësishme. Në lidhje me bashkëpunimin rajonal, i mbështesim themelet parimore të vendosura në Planin e ri të aksionit për Tregun e përbashkët rajonal. Duke e marrë parasysh se jemi në periudhën para zgjedhjes së Qeverisë së re, aktivitetet e detajuara për të cilat janë përgjegjëse institucionet përkatëse, tek duhet të etablohen dhe zhvillohen në periudhën në vijim”, tha Kryeministri./Telegrafi/