Zelensky: Rusia luan me jetën e të burgosurve ukrainas

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Moskën se “luan me jetën e të burgosurve ukrainas”, pas aksidentit vdekjeprurës të rrëzimit të aeroplanit ushtarak në Rusinë perëndimore, shkruan BBC të enjten.

Ai kërkoi hetim ndërkombëtar pas rrëzimit të aeroplanit të mërkurën në rajonin Belgorod pranë kufirit të Ukrainës.

Rusia ka thënë se nuk kishte të mbijetuar pasi Kievi kishte rrëzuar aeroplanin Il-76 me 65 robër lufte ukrainas, gjashtë ekuipazh rus dhe tre shoqërues.

Moska pretendoi se po shkonte drejt Ukrainës për shkëmbim të burgosurish.

Inteligjenca ushtarake e Ukrainës ka thënë se nuk i ishte thënë të siguronte hapësirën ajrore, si në rastet e mëparshme.

Në fjalimin e tij, presidenti Zelensky ka thënë se ishte “e qartë se rusët po luajnë me jetët e të burgosurve ukrainas, me ndjenjat e të afërmve të tyre dhe me emocionet e shoqërisë sonë”.

Zelensky – i cili ka anuluar udhëtimin e planifikuar rajonal të lidhur me ditëlindjen e tij të enjten – theksoi se “duhet të vërtetohen të gjitha faktet”.

Komentet e inteligjencës ushtarake të Ukrainës më herët gjatë ditës u panë si pranim i heshtur se ajo rrëzoi aeroplanin e transportit ushtarak, megjithëse theksoi se nuk kishte informacion të besueshëm se kush ishte në bord.