Zija Merxhani rikthehet te Shkëndija

Mbrojtësi i majtë Zija Merxhani kthehet në taborin kuqezi, pasi sezonin e shkuar doli kampion dhe ishte lojtari më i mirë i kampionatit në pozitën e tij.

Klubi i Futbollit Shkëndija me kënaqësi komunikon angazhimin e mbrojtësit të majtë, Zija Merxhani. Futbollisti tetovar praktikisht kthehet në klubin amë, pasi sezonin e shkuar me Strugën fitoi titullin kampion. Udhëheqësia dhe lojtari kanë gjetur akordin për bashkëpunim në 2 vitet e ardhshme, pas çka 27-të vjeçari ka firmosur kontratën menjëherë pasi kaloi me sukses ekzaminimet mjekësore.

“Shkëndija është klubi më i madh shqiptar dhe secili futbollist dëshiron të vijë këtu. E kur flasim për ne tetovarët që për më shumë edhe kemi nisur karrierën e kemi stërvitur me këto ngjyra që në moshë të vogël, atëherë fjalët janë të pakta për të përshkruar ndjenjën e të qenurit këtu. Unë kam luajtur me Shkëndijën, e dij ambientin dhe vlerësoj se e njoh rrugën që duhet të kalojmë. Dihet se çka pritet prej neve, duhet më pak të flasim dhe më shumë të punojmë për të dhënë secili 100% nga vetja për të realizuar objektivat që ka klubi dhe sponsori”, është shprehur Merxhani menjëherë pasi zyrtarizoi rikthimin në taborin e Shkëndijës.