Ministrat e Sllovenisë, Kroacisë dhe Austrisë me mesazh për anëtarësim më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE

Mesazh për anëtarësim më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE është dërguar sot nga tre shtete anëtare në artikullin e përbashkët të ministres sllovene të punëve të jashtme dhe evropiane Tanja Fajon, ministrit kroat të punëve të jashtme dhe evropiane Gordan Radman Grliq dhe ministrit austriak të Çështjeve Evropiane dhe Ndërkombëtare Aleksandar Schallenberg, transmeton Portalb.mk.

Në artikullin me titull “BE-ja e papërfunduar: Integrimi i Ballkanit Perëndimor si imperativ gjeostrategjik”, tre ministrat theksojnë se edhe pas 20 vitesh premtime, Ballkani Perëndimor nuk është anëtarësuar në BE. Ndonjëherë madje duket se anëtarësimi në BE është bërë më pak tërheqës për rajonin sesa dy dekada më parë.

“Që nga lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, anëtarësimi në BE është bërë objektiv edhe më tërheqës për vendet e Partneritetit Lindor – Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë. Në të njëjtën kohë, vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me sfida të paprecedentë për stabilitetin e tyre, si dhe me dilema të intensifikuara të politikës së jashtme. Megjithatë, ka gjithashtu një ndërgjegjësim në rritje për dritare të re mundësish për zgjerim, duke rritur pritshmëritë në lidhje me BE-në”, thuhet në artikull.

Artikulli thekson se situata aktuale është një mundësi si për Bashkimin Evropian ashtu edhe për Ballkanin Perëndimor për të treguar më shumë largpamësi strategjike, për të rikthyer plotësisht besueshmërinë e tyre gjatë zgjerimit dhe për të forcuar besimin reciprok, një pjesë e të cilit ka humbur gjatë viteve.

Në të njëjtën kohë, tre ministrat thonë se BE-ja duhet të hapë negociatat e anëtarësimit në BE për Bosnjë dhe Hercegovinën deri në fund të vitit. Mali i Zi duhet të vazhdojë rrugën e reformave drejt BE-së, e cila varet nga formimi i qeverisë së re. Negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të përparojnë, me hapat e ardhshëm të Maqedonisë së Veriut në varësi të aftësisë së vendit për të miratuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese.

“Rasti i fundit është një kujtesë se vendet anëtare të BE-së dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të luajnë një rol të përgjegjshëm dhe të përmbahen nga prezantimi i problemeve dhe mosmarrëveshjeve dypalëshe, të cilat nuk kanë të bëjnë me procesin e anëtarësimit”, thuhet në artikullin e tre ministrave të Sllovenisë, Kroacisë dhe Austrisë.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.